Itali, 10 maj 2014 – Filip Zdrava, 20 vjeç dhe miku i tij Ramazan Karanxha, 23 vjeç donin të bënin qejf falas dhe të fitonin para të lehta.  Ndonëse ishte shtuar prezenca e forcave të rendit në Senigalia (port i vogël afër Ankonës) dy shokët dolën “për gjah” mëngjesin e së mërkurës. Ata pasi bënë pazarin me një prostitutë rumune e hipën në makinën e tyre Fiat Punto dhe në një vend të veçuar, e kërcënuan me pistoletë, i lidhën sytë dhe e përdhunuan me rradhë. Prostitutës i vodhën gjithashtu celularin dhe 150 euro.

Pasditen e së enjtes ndoqën të njëjtin ritual. Përsëri morën në makinë një tjetër prostitutë rumune, së cilës, duke e kërcënuar me jetë, i lidhën sytë dhe i morën 300 euro.

Karabinierët, pas denoncimit të dy prostitutave dhe identifikimit të makinës Fiat Punto, arritën t’i arrestonin të dy shqiptarët. Zdravës i gjetën edhe celularin e vjedhur njërës prej prostitutave rumune. Të dy djemtë shqiptarë u dërguan në Burgun e Montakutos (Montacuto).

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/