Dy të rinj nga Durrësi që po udhëtonin nga Italia në drejtim të Durrësit, akuzojnë një punonjës të sigurisë së tragetit që i ka rrahur.

Ngjarja sipas policisë, ka ndodhur dy ditë më parë më 1 gusht në Itali, në ambientet e brendshme të tragetit të linjës Bari-Durrës.

Dy të rinjtë me iniciale O.S. e A.A., 22 e 25 vjeç, banues në Durrës, kanë bërë ankim se janë rrahur nga një punonjës italian i Security-t të tragetit.

Rrethanat e këtij rasti janë ende të paqarta dhe nuk dihet se për çfarë arsyesh mund të jetë ushtruar dhunë ndaj dy durrsakëve.

Policia bën me dije se po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e punonjësit të security-t.