Tiranë, 9 mars 2014 – Dy vajza, 17 dhe 19 vjeçe, janë shpallur fajtore nga Gjykata e Tiranës për shkak se kanë bërë kallëzime të rreme në polici duke pretenduar se ishin përdhunuar. Në denoncimet e gënjeshtërta, 17-vjeçarja A. A. ka “drejtuar gishtin” te kushëriri i saj i parë si personi që e kishte abuzuar. Para oficerëve të policisë ajo ka rrëfyer se ishte përdhunuar prej tij që në moshën 7-vjeçare. Ndërsa 19-vjeçarja I. E. ka kallëzuar një të njohurin e saj, të cilit i kishte kërkuar strehë për disa net. Sipas saj, ai e kishte droguar me hashash dhe pastaj e kishte përdhunuar. Në të dyja rastet, pa lidhje me njëri-tjetrin, vajzat janë penduar dhe kanë treguar të vërtetën, se kishin gënjyer në kallëzimet e tyre. Më pas ato kanë përfunduar si të pandehura në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Në vendimet e fajësisë, të shpallura ditët e fundit, gjykata dënon me 6 muaj burg të miturën A. A., ndërsa 19-vjeçarja është dënuar me 9 muaj burg. Përfundimisht, togat e zeza kanë vendosur lënien e tyre në liri me kusht, përkatësisht në periudha një vit e 6 muaj dhe 2 vjet.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





