Presidenti Ilir Meta dekretoi mesditën e sotme 13 tetorin si datën e re të zgjedhjeve.
Po ndërsa hamendësimet për mbajtjen apo jo të zgjedhjeve në 30 qershor këto ditë të fundit të fushatës elektorale janë më të forta se kurrë, dy kandidatet e Durrësit në garë për bashkinë japin mesazhin përfundimtar për mbështetësit e tyre.
Valbona Sako, kandidatja e Partisë Socialiste, nënvizon në spotin e saj përmbyllës të fushatës së saj se kërkon mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Durrësit për të menaxhuar së bashku qytetin.
“Më shumë mundësi punësimi, një qytet më i pastër dhe me më pak trafik, një qytet që përkrah idetë e të rinjve. Një qytet me më shumë shërbime, me infrastrukturë që lehtëson lëvizjen, një qytet pa ndasi qendër apo periferi sepse në Durrës jemi të gjithë njësoj”,- thotë ndër të tjera në mesazhin e saj Valbona Sako, ndërsa i fton të gjithë durrsakët të votojnë nr.2.
Ndërsa Valbona Sakollari, kandidatja e Bindjes Demokratike, në mesazhin drejtuar mbështetësve të saj dhe gjithë durrsakëve që do t’i drejtohen kutive të votimit në 30 qërshor, thekson se “së bashku duhet të votojmë për të gjeneruar atë rezultat që gjithkush dëshiron. Për t’u shkëputur dhe për t’i thënë stop vazhdimësisë së një sistemi që e ka marrë peng qytetin në gjithë këto vite. Ftoj të gjithë qytetarët durrsakë që me mencurinë dhe fisnikërinë e tyre kanë ditur të bëjnë revolucion në kutitë e votimit ta bëjnë edhe këtë herë!”





