Itali, 16 korrik 2014 – Vëllezërit Mersin dhe Donard Uku, respektivisht 28 dhe 30 vjeç, dolën para trupit gjykues në gjykatën e Piaçencës (Piacenza) të akuzuar për vrasjen me paramendim të Sadik Hajderit, 39 vjeç. Dy vëllezërit i kërkuan gjykatës gjykim të shkurtuar për krimin për të cilin akuzohen.

Kjo vrasje u krye në kuadrin e luftës së bandave shqiptare në Itali për të kontrolluar trafikun fitimprurës të prostitucionit. Në këtë vrasje është përfshirë edhe një femër, Suada Zylfi, 28 vjeçe, e cila akuzohet për shfrytëzim prostitucioni.

Suada akuzohet edhe për nxitje në kryerjen e një vrasjeje. Bëhet fjalë për vrasjen e Françesko Kazelës, 78 vjeç, nga i biri Andrea, i shtyrë nga Suada.

Në vrasjen e Hajderit është përfshirë edhe një tjetër shqiptar, i cili gjendet i arrestuar në Shqipëri. Interpol Roma po punon me Interpol Tiranën për të ekstraduar vrasësin e tretë në itali. Dy vëllezërit Uku u arrestuan nga policia italiane, ndërsa ndodheshin në aeroportin e Malpensës, në Milano, nga ku do të niseshin për t’u kthyer në Shqipëri.

Ata kishin planifikuar të largoheshin nga Italia vetëm pak orë, pasi kishin vrarë me pistoletë Sadik Hjaderin, konkurentin e tyre në trafikun e prostitucionit.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/