Ervin Dalipaj dhe Xhino Dauti u gjetën të pajetë me dhjetëra plumba në trup në makinën tip Audi S8.
Sipas Tv Klan, Dauti ishte në timon dhe u gjet i mbështetur në sedilje, me kokën e anuar në të djathtë. Ndërsa ish –shefi i Krimit Ekonomik në policinë e Tiranës, i përmbysur në drejtim të shoferit.
Shenja të plumbave ka në dyer e në kroskotin e makinës, që pas breshërive doli nga rruga dytësore pranë Sukthit dhe përfundoi në autostradë.
Burime nga grupi hetimor bënë me dije për Tv Klan se dy makina dyshohet të kenë marrë pjesë në planin për ekzekutimin e dy të rinjve.
Një BMW X5 i ka ndjekur sapo kanë dalë nga një servis, rreth 100 metër larg vendit te ngjarjes. Ndërsa një makine tjetër dyshohet se i ka prerë rrugën Audit S 8, një prej makinave më të shpejta të viteve të fundit.
Një person nga BMW –ja që i është afruar në parakalim në drejtimin e lëvizjes Tirane – Shijak, dhe ka qëlluar një karikator kallashnikovi.
Policia gjeti 32 gëzhoja në vendin e ngjarjes.
Pas daljes se Audit nga rruga, BMW-ja me ngjyre te zeze, sipas disa dëshmitareve, ka vazhduar rrugën me shpejtësi në drejtim të Shijakut, ndërsa makina tjetër në drejtim të Tiranës, në rrugën dytësore.
Pak momente përpara atentatit Dalipaj dhe Dauti, sapo kishin dalë nga një servis makinash rreth 100 metra nga vendi i ngjarjes.
Pistat e hetimit mbeten dy: Dyshohet se shënjestër e atentatit të ketë qenë Juxhin Dautaj. Kjo për faktin se shumica plumbave janë në krahun e shoferit që ishte pikërisht Dautaj. Ai ishte dënuar për vrasjen e Fation Banit në Vlorë me 24 vjet burg, por ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata e Apelit. Dyshohet gjithashtu të jetë përfshirë edhe në një vrasje në Shijak, një vit më parë.
Pista tjetër është ajo e ekzekutimit të Ervin Dalipajt për llogari të vrasjes së Gazmend Çollakut, 15 muaj më parë. Ai ishte shpallur në kërkim, ndërsa miku i tij Denis Shtraza është arrestuar dhe po gjykohet. Për shkak të dyshimeve për lidhje mes dy ngjarjeve, hetimi edhe për vrasjen e dyfishtë është marrë përsipër nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.





