Familja e Klodian Rashës kujton sot 25-vjeçarin e vrarë me armë nga efektivi i Policisë së Shtetit dy vite më parë.

I riu u vra mesnatën e 8 Dhjetorit, ndërsa kishte dalë gjatë orës së karantinës për të blerë cigare në zonën e Laprakës, kur gjatë ndjekjes nga efektivët, ishte Nevaldo Hajdaraj polici i cili e qëlloi me armë duke e lënë të vdekur.

Më 14 korrik Gjykata e Tiranës ka dënuar me 15 vite burg Nevaldo Hajdarajn për ngjarjen e ndodhur, ndërsa ai fillimisht u akuzua për “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” por më pas, nga pamjet filmike dhe provat e administruara prokuroria e Tiranës, vepra për efektivin u riklasifikua për “Vrasje me dashje”.

Apeli i Tiranës ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke e dënuar Hajdarajn me 18 vite burg, nga 15 që kishte dhënë shkalla e parë.

Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Hajdarajt i ulet dënimi me 1/3, ku në përfundim ish-efektivi do të vuajë 12 vite heqje lirie, nga 10 që parashikonte shkalla e parë.

Pas vrasjes së Klodian Rashës vendi u përfshi në protesta, ndërsa familjarë e qytetarë kërkuan drejtsësi për 25-vjeçarin, valë protestash e cila solli asokohe dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.