Dy persona humbën jetën në Kosovë në dy incidente të ndryshme mbrëmjen e ditës së djeshme.

Një prej tyre u vra me armë zjarri në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë.

“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi (mashkull). Policia në koordinim me prokurorinë ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, njoftoi Policia e Kosovës.

I dyshuari për vrasjen është në arrati.

Ndërkohë në Mitrovicë të Jugut një 37-vjeçar ka vdekur pas plagëve të marra nga goditjet me thikë, e një tjetër ka mbetur i plagosur.

“Mbrëmjen e 27 majit 2026, në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, një person i gjinisë mashkullore ka humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe vëllai i tij”, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

I dyshuari është arrestuar.