DURRES- Afrimi i festave të fund vitit ka bërë që çmi met e biletave në Portin e Durrësit të pësojnë rritje të menjëhershme. Rritja e çmimit varion në sajë të klasit të udhëtimit dhe linjës së trageteve. Rritja e kërkesës për të udhëtuar, për shkak të festave të fundvitit, është shfrytëzuar nga agjencitë e udhëtimit, duke rritur çmimet pothuajse dyfish. Rritja e çmimit pranohet edhe nga vetë agjencitë e udhëtimit në Durrës. Megjithatë kompanitë thonë se, numri i prenotimeve është më i ulët se një vit më parë, pasi vitin e kaluar shqiptarët ishin më të predispozuar të udhëtonin, për shkak të liberalizimit të vizave. Sipas tyre, rritja e çmimit varion nga 40% deri në 100%, e vendosur nga vetë kompanitë. Edhe pse nuk janë dakord me çmimin e biletës, qytetarët janë të detyruar ta blejnë, pasi është e vetmja mundësi për të udhëtuar jashtë apo për t'u kthyer në vendlindje me automjetet e tyre.
ÇMIMET
Agjencitë e udhëtimeve në qytetin e Durrësit kanë pranuar për "Gazetën Shqiptare" rritjen e çmimit të biletave njëkohësisht me rritjen e numrit të pasagjerëve. Sipas tyre, prej datës 20 dhjetor deri në 18 janar, çmimet do të jenë të larta për të gjithë pasagjerët që zgjedhin të udhëtojnë me tragete. Në këtë rritje, 10 euro për çdo biletë pasagjeri, të çdo moshe dhe për çdo automjet, justifikohen me rritjen e çmimit të naftës. Deri në 20 dhjetor një biletë e thjeshtë vetëm vajtje kushtonte 40 deri 50 euro. Aktualisht varion nga 85 deri në 100 euro. Ndërsa vajtjeardhje kushton 150 euro. Një biletë trageti me kabinë ishte 80 euro, aktualisht kushton 120 euro. Ndërsa bileta vajtje-ardhje kushton 220 euro.
I pyetur për këtë ngritje çmimesh nga kompanitë e lundrimit, kapiteni i Portit të Durrësit, Hysni Aruçi, tha se pavarësisht kësaj rritjeje, tavani i vendosur nga Ministria e Transportit nuk kalohet asnjëherë. "Brenda çmimit tavan është konkurrenca ajo që vendos, por nëse priten bileta me çmime më të larta dhe mbi kapacitetin e numrit të personave të tragetit, atëherë masat ndëshkuese janë të rrepta", është shprehur Aruçi. Këtë vit në portin e Durrësit operojnë tri kompani nga katër apo edhe gjashtë që kanë qënë të licencuara dhe të tria kompanitë i kanë ngritur rrufeshëm çmimet e biletave, duke e kthyer udhëtimin me traget nga ky port në monopol. Ata që e pësojnë, si gjithmonë janë qytetarët. Të irrituar së tepërmi nga kjo situatë, emigrantët thonë se çmimet janë më të lartat në Europë. "Ndërsa në të gjithë Europën çmimet ulen me raste festash, në Shqipëri dyfishohen, kjo është qesharake", thotë një emigrante.