KUKËS – Në prefekturën e Kukësit banorët i janë kthyer ngrohjes me dru zjarri, kjo për shkak se në këtë qark malor mungon shpesh energjia elektrike.

Por duke qenë se dimri i sivjetshëm filloi i ashpër, me ngrica dhe temperatura nën zero prej ditësh, kërkesa për dru zjarri është në rritje, por edhe çmimi i tyre pothuajse është 2-fishuar. Kështu në Kukës çmimi i druve të zjarrit ka arritur deri në 5000 lekë për metër kub, kurse në Tropojë nga 2500 në 3000 lekë ditët e fundit.

Pra kurba e çmimit të druve të zjarrit ka shënuar veç rritje, si rezultat i ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike. Këto zona ngrohjen me dru zjarri e kanë traditë, por dhjetë vitet e fundit, ishte harruar ngrohja me dru zjarri, madje edhe në fshatra nuk përdorej oxhaku për ngrohje, por ngrohja me energji elektrike.