Spekullimet për transferimin e tij te PSG mënjane, Neymar Juniors flet më shumë në fushë, ku spikati me një dygolësh në fitoren 2-1 të Barcelonës ndaj Juventusit në Champions Cup.
Në “MetLife Stadium” të New Jersey-t, braziliani realizoi dy herë në pjesën e parë në minutat 15 dhe 25, për t’u siguruar fitoren blaugranave ndaj kampionëve të Italisë, kundërshtarë të cilët e eliminuan Barcën në Champions League. Në finalizimin e parë Neymar shfrytëzoi një pasim të Paco Alcacer, ndërsa 1 minutë më pas u shërbye nga Lionel Messi. Në fraksionin e dytë Valverde vendosi të lërë në dhomat e zhveshjes pjesën më të madhe të titullarëve, përfshirë Messin dhe Neymarin, ndërsa në krahun tjetër Allegri hodhi ne fushë ndër të tjerë, Pjanic, Chiellinin e Dybala.Bardhezinjtë morën frenat e lojës dhe arritën të barazonin me Chiellinin në minutën e 63-të, i shërbyer nga Dybala. Kampionët e Serisë A tentuan te barazonin me Higuain, por nga ana tjetër rrezikuan të ndëshkoheshin me të tretin. Përfundoi me një humbje të pranueshme nga ana e Juventusit kjo miqësore, por duhet theksuar se skuadrat ende nuk janë kolauduar si duhet për sezonin e ri.Ndërkohë në “Camping World Stadium” të Orlandos, Tottenham turpëroi 4-2 PSG, që pavarësisht startit të mirë lëshoi shumë terren sidomos në pjesën e dytë. Edinson Cavani hapi serinë e golave që në minutën e 6-të, por 5 minuta më vonë barazoi Eriksen. Eric Dier realizoi të dytin për anglezët në në të 18-ën, ndërsa argjentinasi Pastore ktheu në lojën Parisin, me skuadrat që iu drejtuan dhomave të zhveshjes me rezultatin të ekuilibruar. Trajnerët respektive Pochetino dhe Emery bënë zëvendësime të shumta në fraksionin e dytë, teksa në 10 minutat e fundit Tottenhami e gjeti edhe dy herë të tjera rrjetën me Alderweired dhe Kane, me sulmuesin anglez që realizoi nga pika e bardhe e 11 metërshit.