*Ankesa për shërbimet në portin e Barit
Nisja e muajit gusht ka përkuar me rritje të fluksit të emigrantëve që kthehen për pushime në atdhe nga pika kufitare e portit të Durrësit.
Rreth 5 mijë emigrantë me 1500 automjete, kanë mbërritur mëngjesin e së hënës, me dy tragete të linjës Bari -Durrës, dhe tragetin e linjës Ankona -Durrës. 25 sportele janë vënë në dispozicion nga policia kufitare dhe dogana e Durrësit, ndërsa procedurat janë lehtësuar për të mos u krijuar dyndje para sporteleve.
Si rezultat i fluksit të madh të emigrantëve, tragetet kanë mbërritur me vonesë në port, dhe po punojnë dopio –corse, çka do të thotë se pas zbarkimit të pasagjerëve në Durrës, nisen sërish në Bari për të sjellë pasagjerë.
Në intervistat e dhëna për “DurrësLajm”, pasagjerët shprehen se kanë kaluar orë të vështira në pritje për t’u nisur në Durrës. “Në Bari ishte skandal i madh, kishte mijëra shqiptarë që donin të niseshin, dhe tragetet janë nisur pas orës 2:00 të mëngjesit. Orari i nisjes në biletë është në orën 23:00, por u nisën me tre orë vonesë”, shprehen emigrantët.
Pjesa e më e madhe e tyre janë kryesisht emigrantë që jetojnë në Itali dhe kthehen për të kaluar pushimet e verës pranë të afërmve të tyre në plazhet e bregdetit shqiptar.
K.H.





