13 tetor 2015 – Të gjthë banorët e qarkut të Durrësit dynden në poliklinikën e specialiteteve në Durrës. Radhët para zyrave të mjekëve specialistë nisin që herët në mëngjes. Janë banorë që vijnë nga fshatrat e largëta të Durrësit, Juba, Ishmi, Gjepalaj, e po kështu nga Shijaku, Sukthi etj, duke përfshirë edhe banorët e qytetit të Durrësit që presin në radhë deri në mesditë për të bërë një vizitë duke nisur nga eko e thjeshtë te kardiologu, okulisti etj.
Në poliklinikë të gjithë qytetarët u nënshtrohen edhe analizave specifike. Pacientëve të sëmurë u shtohen edhe qytetarët e tjerë që kërkojnë të pajisen me patentë dhe duhet të kryejnë një sërë vizitash, ata që fillojnë punë të re, apo ata që rinovojnë dokumentet dhe duhet të kryejnë vizitat mjekësore domosdoshmërisht, për të marrë konfirmimin e mjekëve për gjendjen e tyre shëndetësore.
Ankesat:
Pjesa më e madhe e qytetarëve këtu, janë të siguruar, dhe pasi marrin numrin përkatës në recepsion për vizitat te mjekët specialistë, duhet të presin disa orë. Mëngjesin e sotëm në orën 10:00 paradite, radha e qytetarëve te vizita e ekos kishte arritur pikun. Më të moshuarit shprehen se e njëjta situatë është 5 ditë të javës në poliklinikën qendrore. Ka midis tyre që pasi kanë pritur për më shumë se dy orë, largohen pasi humbin durimin. Të tjerë në ankesat e tyre thonë se mjekët punojnë deri në orën 13:00, dhe pas kësaj ore nuk kryejnë më vizita.
“Po iki, nuk duroj dot më sepse ka shumë radhë, dhe kur të më vijë mua orari, mjekët nuk presin vizita. Prita tri orë, nesër do vij të zë prapë radhën për të bërë një eko”, thotë Nexhi, një e moshuar.
“Nuk na japin numra për t’u vizituar, duhet të vijmë që në orën 7:00 të zëmë radhën këtu, sepse mjekët bëjnë jo më shumë se 20 vizita në ditë. Pacientë ka shumë dhe mjekë pak, kështu na bie të vijmë herë tjetër”, thotë një grua.
Në çdo kat është e njëjta situatë, pacientë që dynden në radhë, për të marrë shërbimin e duhur mjekësor nga specialistët. Të detyruar për të pritur në radhë janë ata qytetarë që duhet të kalojnë vizitat mjekësore për shkaqe dokumentacioni, ndërsa edhe ata që janë të sëmurë, largohen, për të ardhur në një ditë tjetër, me më pak fluks.
/K.H. portali DurresLajm/





