Çmimi naftës prej 218 lekësh për litër i vendosur nga Bordi i Transparencës pak ditë më parë ka bërë që shumë shqiptarë, kryesisht banorë të qarkut Shkodër dhe përreth, të ikin të furnizohen me karburant në Mal të zi pasi çmimi atje është shumë më lirë.

Po sa kushton një litër naftë vetëm 10 km nga Shkodra, në shtetin fqinj të Malit të Zi?

Me vendim të bordit të transparencës, një litër naftë në Shqipëri kushton 218 lekë, ndërsa 10 km nga qyteti i Shkodrës, në shtetin e Malit të Zi, një litër naftë normale kushton vetëm 1.52 Euro ndërsa nafta e kualitetit më të mirë kushton 1.77 Euro me një diferencë të konsiderueshme nga ajo e Shqipërisë.

Dogana e Muriqanit ka pasur fluks të shtuar të automjeteve në dalje të vendit, qytetarë nga Shkodra por jo vetëm të cilët shkojnë të marrin naftën pothuajse 75 lekë më lirë në Malin e Zi. Po kjo situatë e krijuar me fluks të lartë të automjeteve nga vendi ynë, ka bërë që pala malazeze të marrë masa parandalimi.

Në dy pikat më të afërta me doganën Shqiptare kanë vendosur masa kufizuese duke mos lejuar furnizimin me me shumë se 50 euro për automjet dhe nuk lejon po ashtu furnizimin me naftë më të lirë se 1.77 euro. Kjo si masë mbrojtëse për shtetasit malazez në kufi me Shqipërinë. Po ashtu është e ndaluar dhe mbushja e bidonëve me naftë, për të cilët kryhen edhe kontrolle të imtësishme në doganë nga pala shqiptare.

Euronews Albania tentoi të komunikonte me Shqiptarë të cilët po mbushnin naftë në Mal të Zi por refuzuan të flisnin për shkak të problemeve që hasnin më pas nga policia, e cila i pengon të kalojnë kufirin për tu furnizuar me karburant në tokën malazeze.

Shteti i Malit të Zi ka vendosur masa kufizuese për mbrojtjen e shtetasve të vetë, ndërsa në Shqipëri ngritja e Bordit të Transparencës, thjesht e ngriti çmimin e naftës dhe të benzinës.

Sa litra naftë mund të marrësh në Shqipëri me 100 € dhe sa litra në Mal të Zi?

– Me 100 € merr 65.7 litra naftë me çmim 1.52 Euro në Mal të Zi

– Me 100 € merr 43.8 litra naftë me çmim 2.18 Lekë në Shqiperi