A është mashtruar me këto imazhe që nxitën kaq shumë urrejtje e luftë?

Është një filmim që u kthye në simbolin e Intifadës së dytë palestineze ndaj Izraelit në vitin 2000.

Një vogëlush 12- vjeçar, i tmerruar, shtrëngon fort të atin, ndërkohë që mbi kokat e tyre fluturojnë plumba. Trupat izraelite po shkëmbejnë zjarr me palestinezët. Plumbat prekin trupin e djaloshit dhe ai gjen vdekjen.

Por një raport i hartuar nga izraelitët pretendon se filmimi për vdekjen e Mohammed al- Darra në Rripin e Gazës mund të jetë manipuluar. Ky filmim prej 55 sekondash u shfaq për herë të parë në një televizion francez në vitin 2000.

Vdekja e vogëlushit u bë një mjet i fortë propagande për protestat e palestinezëve kundër pushtimit izraelit.

Vende të tjera arabe u kanë vendosur shkollave dhe rrugëve emrin e vogëlushit, kurse babai i tij ka ndërmarrë turne në vendet arabe, është nderuar nga universitetet dhe nga partitë politike.

Edhe sot e kësaj dite, militantët islamikë e përdorin vrasjen e tij si shkak për hakmarrje mbi forcat izraelite.

Pamjet u transmetuan nga rrjeti francez France 2 më 30 shtator 2000.

Për çudi, ushtria izraelite pranoi se e kishte vrarë djaloshin aksidentalisht. Më pas pretenduan se mund të ishte vrarë nga plumbat e palestinezëve. Më vonë thanë se fajin e kishte tymi i krijuar dhe ishte një gabim.

Imazhi i vogëlushit bëri që bota ta shohë si martir.

Tani një raport hetimor prej 44 faqesh, i përgatitur në Izrael, pretendon se pamjet janë manipuluar me qëllim që të justifikohet një valë antisemitizmi në botë.

Në raport thuhet se France 2 nuk ka transmetuar pjesën ku djaloshi lëviz këmbët dhe kokën, duke shtuar se nuk ka prova se ai është qëlluar, madje duke ngritur dyshimet se ai është gjallë.

Sipas izraelitëve, në vendin e ngjarjes nuk ka shenja gjaku dhe plagë plumbash mbi viktimën.

Për vdekjen e vogëlushit nuk është bërë një autopsi dhe hetimi izraelit është bazuar kryesisht tek intervistat e ekspertëve dhe pamjet nga vendi i ngjarjes.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se kjo ngjarje ka frymëzuar një fushatë për delegjitimimin e Izraelit.

Babai i djaloshit të vrarë thotë se do e zhvarrosë të birin për të bërë një autopsi ndërkombëtare.

“Nëse ai është i gjallë, kush ishte ai që u qëllua dhe u vra në krahët e mi,” pyet ai.

Analistët e mediave izraelite thonë se tani edhe zhvarrimi i tij nuk ndryshon gjë, pasi dëmi është bërë.

“Ne jemi mposhtur tashmë në betejën mes gënjeshtrës dhe të vërtetës. Gënjeshtra ka fituar,” shkruan një analist.

Kurse zyrtari që drejtoi hetimin tha se, e gjithë ideja se Izraeli është një shtet që vret fëmijë, është bazuar kryesisht në këtë histori, prandaj duhen nxjerrë në pah të vërtetat.

Në raport nuk thuhet se ku mund të jetë vogëlushi, nëse nuk ka vdekur.

Babai i vogëlushit, vdekja e të cilit nxit akoma urrejtje, thotë: “Mohammad nuk është vetëm djali im. Ai është djali i Palestinës”