Prokuroria e Tiranës ka kërkuar zyrtarisht përgjigje nga Spanja, përmes një letre drejtuar ambasadës spanjolle për një letërporosi, ku kërkohet zemra e shqiptarit Saimir Sula i cili ndërroi jetë në Barcelonë në muajin Maj të vitit 2020.
Mediat spanjolle shkruajnë se autoritetet shqiptare po e hetojnë rastin si krim të trafikut të organeve dhe besojnë se zemra mund të jetë shitur. Saimir Sula u paraqit në spital në datë 8 Maj të atij viti me ethe dhe dyshonte se mund të ishte infektuar me COVID. Testi i tij rezultoi negativ.
Autopsia zbuloi se ai kishte ndërruar jetë pak orë më vonë për shkak të një arresti kardiak të shkaktuar nga një arterie e bllokuar, bronkit dhe temperaturë. Në raport përjashtohej se ai mund të kishte ndërruar jetë nga goditjet e rojeve të sigurisë në momentin e neutralizimit kur ai pati një shpërthim për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
Familja e viktimës e denoncoi vdekjen e të riut Sula në gjykatat e Barcelonës me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Ata e dërguan trupin e tij në Shqipëri për një autopsi në dytë.
Në momentin e mbërritjes në vendin tonë ata zbuluan se atij i ishte hequr zemra dhe në mungesë të shenjave të dhunës në trup ishte e vështirë të përcaktoheshin shkaqet e vdekjes.
Çështja e hapur në gjykatat e Barcelonës është arkivuar në dy raste pasi gjyqtari vlerëson se tashmë janë kryer të gjitha analizat e nevojshme dhe se është konfirmuar se vdekja e Saimir Sulës ka ardhur për shkaqe natyrale .
Gjyqtari i çështjes në Spanjë ka refuzuar që zemra të dërgohej në Shqipëri për të bërë një analizë të ADN-së. Familja ka paraqitur një apel në Gjykatën e Barcelonës për të rihapur çështjen.
Ata kërkojnë regjistrimet e kamerave të sigurisë për të parë nëse veprimet e rojeve të sigurisë ishin të duhurat, si dhe të merren në pyetje punonjësit e spitalit dhe të bëhet analiza e ADN-së për të vërtetuar se zemra është e Sulës.
Në fakt, familja e shtetasit shqiptar dyshon se nëse do të bënin testin e ADN-së nuk do të ishte e tij , pasi në raportin mjeko-ligjor thuhet se ai ka nisur të analizohet në datën 22 prill 2020 , kur ka ndërruar jetë më 9 maj 2020, më shumë se dy javë më vonë.