Me kalimin e orëve zbardhen detaje të minutave të fundit të dy të rinjve Ervin Dalipaj dhe Xhino Dauti, para se të mbeteshin viktima të atentatit mafioz, që u mori jetën mesditën e së martës, pranë mbikalimit të Sukthit. DurrësLajm disponon foton nga vendngjarja e atentatit mafioz, ku duken viktimat Dalipaj dhe Dauti, të cilën humbën jetën në vend, pranë e pranë, nën breshërinë e plumbave të kallashnikovit që u derdhën mbi trupat e tyre.

Për arsye etike, DurrësLajm nuk po e boton foton, pasi skena e vrasjes është makabre, duken trupat e dy të rinjve dhe automjeti të mbuluar nga gjaku dhe të "grirë" nga plumbat.

Për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë, hetuesit kanë marrë në pyetje personat e fundit që kanë kontaktuar me dy të rinjtë, pronarin e servisit ku ata kanë qëndruar para se të nisnin udhëtimin e tyre drejt vdekjes dhe dy vajzat, në shoqërinë e të cilave ata kanë qëndruar për rreth 40 minuta, para se të ndërmerrnin udhëtimin e tyre me makinën Audi.

Siç mësohet nga DurrësLajm nga grupi hetimor, pronari i servisit ka deklaruar para prokurorëve të çështjes se nuk ka kamera sigurie, gjë që nuk mund të zbardhë dot minutat e fundit të Dautit dhe Dalipajt. Ai mësohet të ketë deklaruar se nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur rreth 200 metra larg prej servisit të tij.

Nga të njëjtat burime mësohet se nga marrja në pyetje e një prej punonjësve të servisit u zbulua identiteti i dy vajzave që u panë në shoqërinë e viktimave. Mësohet se punonjësi i servisit u ka kërkuar djemve që të dilnin xhiro me vajzat, sepse kontrolli teknik i automjetit Smart do të zgjaste, por dy djemtë nuk janë larguar me vajzat. Nëse këto të fundit do të hipnin në automjet me dy djemtë, ndoshta ngjarja do kishte pasur pasoja shumë më të rënda deklarojnë hetuesit.

Kush janë dy vajzat

Gjatë orëve të para të mëngjesit u identifikuan dy vajzat që ishin në shoqërinë e dy viktimave, pak minuta para atentatit.

Burime nga grupi i hetimit, që i morën në pyetje, saktësuan se të dyja janë nga Tirana, të moshës 23 dhe 24 vjece, dhe kanë pohuar se njihnin vetëm Xhino Dautin.

Në dëshminë e dhënë, vajzat kanë pohuar se nuk kishin njohuri mbi aktivitetin e djemve dhe ish-policin nuk e njihnin fare. Ato thanë se ishin shumë të tronditura për atë që mësuan, ndërkohë që sapo ishin ndarë nga dy djemtë.

Vajzat që ishin edhe personat e fundit me të cilën folën dy viktimat e atentatit, thanë se ishin njohur në Tiranë me Xhinon dhe ai u kishte thënë se do t’i ndihmonte për të kontrolluar makinën, meqënëse kishte një shok të mirë. Ato thanë se nuk kishin vënë re asnjë shqetësim tek dy djemtë, me të cilët pinë kafe dhe bënë shaka, dhe i kishin falenderuar për ndihmën që po merrnin për kontrollin e makinës në servis.

Dyshimet e prokurorisë

Hetuesit kanë sekuestruar telefonat celularë të vajzave, sepse një dyshim qëndron në faktin se këto vajza mund t’i kenë sjellë në pritë dy djemtë. Hetimet përfshijnë çdo thirrje telefonike të kryer prej tyre, para e pas vrasjes, po kështu edhe qelizat e thirrjeve të mëparshme.

Po kështu janë sekuestruar e pritet të zbardhen tabulatet e dy viktimave, për të parë se me kë kanë fplur në telefon para vrasjes, dhe kush ishin personat që ishin në dijeni të lëvizjeve të tyre.

K.H.