Mbretëresha Elizabet II mund të ketë përjashtuar nga trashëgimia nipin e saj, princin Harri. Mediet britanike hedhin dyshime se Mbretëresha ndryshoi testamentin në gusht, ku ndër të tjera mund të ketë përjashtuar nga ky dokument, nipin e saj të dytë, i konsideruar edhe si princ rebel.

Mediat citojnë burime të revistës “Forbes” që thonë se pasuria personale e Mbretëreshës përllogaritet në 447 milionë Dollarë, prej të cilave Harri apo pasardhësit e tij, nuk do të marrin asnjë cent. Pasuria do të ndahet mes 4 fëmijëve të saj, mbretit të ri Çarls III, princeshës Anne e princëve Endrju dhe Eduard.

Shkak për këtë vendim të Elizabetës mund të ketë qenë largimi si pjesë e familjes mbretërore i Harrit, dy vite më parë, por edhe sjellje të tjera të konsideruara si armiqësore. Ndër to përmenet intervista e bujshme e Dukës së Suseksit dhe bashkëshortes së tij për të famshmen Opra Uinfri, ku akuzuan familjen mbretërore për racizëm ndaj Megan Markëllit.

Po sipas shtypit britanik ishte Çarlsi që e këshilloi të birin që në ceremonitë e homazheve për Mbretëreshën, të vinte pa bashkëshorten. Gjithsesi, gjithçka do të mësohet pasi familja mbretërore të shpalosë testamentin e mbretëreshës, pas përfundimit të ceremonive.