Nëse Elena Avdillari do të kishte udhëtuar një natë më parë drejt Italisë, aksidenti tragjik që i mori asaj jetën dhe taksistit durrsak Bujar Agalliu do të ishte shmangur.
Po përse u kthye mbrapsht 23-vjeçarja, ndërkohë që kishte prerë biletën e udhëtimit drejt vendit fqinjë.
Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga policia kufitare e Durrësit.
23-vjeçarja Avdillari mësohet se ka hyrë rreth orës 21.00 të së mërkurës në portin e Durrësit dhe ka bërë check-in. Por ndryshe nga herët e tjera, mbrëmjen e së mërkurës ajo është kthyer mbrapsht nga policia kufitare.
Sipas të njëjtave burime për DurrësLajm, Avdillari është kthyer nga policia kufitare pasi kishte shumë hyrje-dalje nga Shqipëria drejt Italisë. Gjatë vitit 2017, 23-vjeçarja kishte udhëtuar 14 herë drejt Italisë.
Mësohet se policia italiane kishte informacione se Elena Avdillari punonte në punë të paligjshme në shtetin fqinj dhe për këtë autoritetet e vendit fqinjë i kishin kërkuar homologëve shqiptarë mos lejimin e udhëtimit të saj drejt Italisë.
E reja nisej drejt Italisë me traget nga Durrësi dhe kthehej me avion në Rinas.
Ndërkohë, nëna e Elenës, Rozafa Glloga deklaroi për mediet se vajza e saj ka qenë disa herë në Itali, pasi atje punonte.
Nëna ka deklaruar se ajo me lekët që merrte në Itali mbante familjen dhe kjo ishte hera e katërt që po ikte.
“Vajza ime shkonte here pas here ne Itali pasi shkonte punonte me shoqet. Kjo ishte hera e 4-rt qe po shkonte. Kishte me vete 600 euro dhe garancinë. Nuk e di ca problemi pati qe nuk u nis ne Itali. Lajmin e vdekjes e kane mësuar shoqet e saj qe jetojne ne Itali pasi e panë ne televizor. Ne mengjes na njoftuan ne. Vajza ishte e martuar por jetonte tek ne dje na ndihmonte financjarisht pasi jemi te varfer. Une punoj ne fshese turni i 3 cdo nate”,tregoi mes dhimbjes nëna e viktimës.
Ndërsa babai i vajzës së re kërkoi që autori i aksidentit të vihej para përgjegjësisë.





