28 janar 2015 – Komisioni i etikës pranë FSHF ka vendosur të thërrasë dëshmitarë për të hetuar në lidhje me dyshimet për trukime të disa prej ndeshjeve të javës së 19 të Kategorisë Superiore, më konkretisht, Flamurtari – Teuta, Laci – Partizani por dhe Vllaznia – Kukësi. Anëtarët e organizmit të krijuar enkas për të luftuar fenomenin e trukimit janë takuar në ambientet e federatës në një mbledhje që u programua menjëherë pas fundjavës dhe akuzave për tolerim në disa nga ndeshjeve në fjalë dhe si hap të parë kanë ndërmarrë vëzhgimin e pamjeve filmike të këtyre takimeve si dhe janë njohur me raportet e zyrtarëve të ndeshjeve përkatëse.
Pas diskutimeve të rastit Komisioni i Etikës ka vendosur që si hap të mëtejshëm të thërrasë para tij për të dëshmuar të gjithë anëtarët e klubeve që janë përfshirë në këtë cështje që mendohet se mund të japin dëshmi të vlefshme në lidhje me hetimin. Komisioni i Etikës ka vendosur që të mblidhet serish të hënën e ardhshme në orën 14.00 pasi të ketë marrë dëshmitë në fjalë. Paralelisht me hetimin në drejtësinë sportive njëra nga ndeshjet në fjalë e pikërisht ajo mes Flamurtarit dhe Teutës po hetohet edhe në drejtësinë penale me Prokurorinë e Vlorës që njoftoi se ka nisur hetimet kryesisht për takimin që u luajt të shtunën e kaluar. Për sa i përket Komisionit të Etikës ky organ në të kaluarën ka dhënë disa vendime në lidhje me akuzat për paracaktim të rezultatit apo garës në futbollin shqiptar.
Në shkurt të vitit 2013, Komisioni i Etikës ndëshkoi me nga 1 500 000 lekë klubet e Bylisit dhe të Kastriotiti duke gjykuar se kishin trukuar ndeshje, konkretisht Kastrioti u dënua për ndeshjen e fituar në Kupë 4-2 ndaj Shkumbinit ndërsa Bylisi morri dënimin pasi u gjykua se kishte hapur qëllimisht portën në disfatën 3-0 të pësuar nga Flamurtari. Një vit më parë në 2012 Komisioni i Etikës vendosi që të mos akordohen cmimet Këpuca e Artë e Kategorisë Superiore edhe asaj të parë duke gjykuar se gara për titullin e kryegolashënuesit në këto kompeticione ishte kompromentuar.





