Pavarësisht se hetimet vijojnë, deri më tani policia nuk ka rënë ende në gjurmë të autorëve të vrasjes së vëllezërve Haxhia me origjinë nga Puka, Besmirit (32 vjeç) dhe Viktorit (26 vjeç), banorë të Spitallës.
Familjarët i kanë thënë policisë se nuk dinë nëse të dy djemtë kanë pasur ndonjë konflikt apo nëse vetëm ndonjëri prej tyre ishte përfshirë në konflikt; apo nëse kishin marrë kërcënime.
“DurrësLajm” mëson se të afërmit i kanë thënë policisë se vëllezërit kanë qenë në punë të tyre, merreshin me biznes. Dy vëllezërit ishin djemtë e vetëm të familjes Haxhia. Tre motrat e tyre janë të martuara. Prindërit e djemve janë lajmëruar nga komshinjtë, pasi mediat kishin përcjellë lajmin për vrasjen e tyre.
Dyshohet që tre persona kanë marrë pjesë në ekzekutim. Dy prej tyre kanë derdhur dy krehërë me kallashnikovë me 64 plumba duke e bërë makinën shoshë dhe duke u siguruar që dy vëllezërit mbeten të pajetë.
Policia është në pritje të tabulateve telefonike të dy vëllezërve, për të parë me cilët persona kanë kontaktuar së fundi para ekzekutimit.
Janë bërë krehje në të gjithë zonën për të gjetur makinën e autorëve, por deri më tani nuk ka shenjë të makinës “Toyota” ngjyrë gri.
Makina u zhduk pikërisht në vendin ku u ekzekutuan dy persona në fillim të marsit.





