DURRES, 12 qershor 2013 – Borxhet e shumta dhe konfliktet personale dyshohet të jenë shkaku që çoi drejt vetëvarjes 50 vjeçarin shqiptar me pasaportë dhe identitet italian. Rino di Fiore u gjet i varur në apartamentin e marrë prej tij me qera në zonën e Plazhit të Durrësit, rreth orës 10.45 të ditës së djeshme. Me kombësi shqiptare, ai mbante shtetësitë italiane dhe shqiptare në dy pasaportat përkatëse. Në automjetin e tij me targa BD 326 RP të parkuar pranë pallatit të banimit u gjetën disa dorëshkrime të lëna prej tij, të cilat mbështesin dyshimin e vetëvarjes.
I regjistruar zyrtarisht si banor i lagjes “Ali Demi” në Tiranë dhe i prezantuar për të njohurit me emrin Haxhi Ismailaj e herë Isufaj, sipas fqinjëve, Di Fiore u gjet i varur në katin e tretë të një pallati në afërsi të shkollës 9-vjeçare publike "Bajram Curri" nga një miku i tij, të cilit i kishte borxhe dhe i kishte telefonuar në fundjavë. Telefoni i mbyllur ka alarmuar persona të afërm të tij të cilët janë vënë në lëvizje për të mësuar mbi fatin e 50 vjeçarit.
Nga hetimet rezulton se ditën e premte 50 vjeçari ka pasur një konflikt me një grua nga Tirana me të cilën ishte përfshirë në një ndërmarrje private për prodhimin e energjisë, biznes ky qe ka pasur probleme dhe konflikti mes palëve, që duket se kishin dhe raporte të afërta mes tyre, ka përfunduar me një denoncim në polici. Gruaja ka pretenduar se është goditur nga Di Fiore shqiptar, por në polici ky rast nuk është administruar pasi është vlerësuar se gruaja ka stimuluar për të krijuar njëfarë presioni mbi 50 vjeçarin, i cili i kishte marrë dhe para në funksion të zhvillimit të biznesit. Kjo duket se është pranuar dhe nga ajo vetë, duke e mbyllur kërkesën për procedim penal ndaj Di Fiores që është paraqitur në polici për zgjidhjen e kësaj situate, të paktën një ditë para vetëflijimit.
Një ditë pas incidentit mes ortakëve-partnerë, të shtunën, viktima i ka telefonuar një mikut të tij për t'i thënë se në rast nevoje për automjetin çelësat ia kishte lënë diku. Nga dëshmitë e siguruara rezulton se një tjetër grua nga Berati e cila kishte njohje të afërta me viktimën i ka telefonuar dhe kur nuk ka marrë përgjigje pasi telefoni rezultonte i fikur ka njoftuar e shqetësuar mikun e përbashkët, i cili nga ana e tij ka shkuar të marrë dhe çelësin e makinës në vendin ku i kishte thënë viktima dhe më pas është zbardhur fati i 50 vjeçarit. Në automjet deklarohet se është gjetur dhe një letër me udhëzime , apo njëfarë testamenti që ka nxjerrë në pah borxhet që kishte 50 vjeçari dhe si ndante ato që zotëronte.
Banorët e pallatit ku jetonte me qera viktima pohojnë se kishin nisur të ndjenin erën e rëndë që çlironte trupi që kishte nisur procesin e dekompozimit. Edhe një ditë më pas, burime nga grupi hetimor deklarojnë se bëhet fjalë për një vetëvrasje nga ana e viktimës, që është dhe baba i një djali 15 vjeçar që jeton në Itali bashkë me të ëmën. Fillimisht u dyshua se viktima kishte një të kaluar kriminale e cila e ka detyruar të ndryshojë dhe gjeneralitetet personale, po nga verifikimet e para ky hamendësim nuk ka gjetur mbështetje. Të dyja pasaportat e tij janë me të njëjtin emër, atë Rino di Fiore. Viktima nuk ka pasur një të shkuar kriminale, ndërkohë që është dalluar si person i paqëndrueshëm dhe me lidhje të shumta. Kishte të paktën dy vjet që ishte kthyer në Shqipëri me shpresën e çeljes dhe zhvillimit të një biznesi në fushën e energjitikës, ndërmarrje që e kishte përfshirë dhe në borxhe.
/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





