Tiranë, 14 gusht 2014 – Bankat Greke mund të jenë destinacioni ku mund të kenë përfunduar lekët e vjedhura nga Thesari i Shtetit Shqiptar. Përgjigjia që ka mbërritur në prokurori nga zyrtarët e sistemit elektronik TIMS, ka konfirmuar se Dorian Çollaku, Drejtori i Emisionit, ka lëvizur plot 30 herë në drejtim të Greqisë.
Përgjigjia ka konfirmuar se lëvizjet e Çollakut kanë qënë dhe në drejtim të Turqisë, Maqedonisë, Italisë, Malit të Zi, Kosovës deri në Gjermani.
Por ajo që u bëri më tepër përshtypje hetuesve të njësisë Task-Forcë, ka qënë intesiteti i madh i lëvizjeve të Çollakut në drejtim të Greqisë.
Sipas të njëjtave burime, është bërë me dije se edhe vartësi i Çollakut, i arrestuari kryesor i grabitjes së 7 milionë dollarëve, Ardian Bitraj, në gjashtë muajt e fundit ka dalë tre herë jashtë Shqipërisë, duke pasur si destinacion kryesor shtetin fqinj, Greqinë.
Burimet kanë sqaruar se mendohet se destinacioni i Bitrajt në Greqi, ka qenë një kazino ku luhen shifra marramendëse, çka duke iu referuar dhe deklaratave të tij, Bitraj është shprehur se të gjitha paratë i ka çuar në kazinotë poshtë banesës së tij, deklaratë e cila u përgënjeshtrua nga vetë pronarët e kazinosë.
Kjo deklaratë dhe të tjera fakte që dita ditës po dalin në dritë, po e kompromentojnë më shumë situatën.
Me këtë informacion në tavolinën e punës, hetuesit janë duke hetuar tashmë të gjithë lëvizjet e Çollakut dhe Bitrajt në mënyrë që të shohin edhe lëvizjet financiare dhe shpenzimet që ata kanë bërë në këto vende. Sipas burimeve mësohet se në Greqi dyshohet se Bitraj por me shumë gjasa edhe Çollaku frekuentonin një kazino të njohur në këtë vend, por ende nuk është konfirmuar fakti nëse ata kanë luajtur apo jo shumë të mëdha parash.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





