Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të enjten aktakuzë kundër pesë personave për shtytje në kryerjen e veprave terroriste dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Ata janë arrestuar nga autoritetet e sigurisë në maj të vitit 2023.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, me inicialet L.B, B.V, E.B, A.H dhe A.S, kanë shpërndarë mesazhe te personat tjerë, duke nxitur kryerjen e akteve terroriste.
Të pandehurit L.B dhe B.V. janë akuzuar edhe për mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Pas arrestimit, Policia pati sekuestruar revole, armë automatike, armë rekreative pneumatike dhe disa pajisje elektronike.
Policia pati thënë, po ashtu, se të arrestuarit kanë qenë edhe më herët të përfshirë në vepra penale të kryera në rajonin e Pejës.
Sipas ligjeve në Kosovë, për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues parashihen dënime të ndryshme.
Që nga viti 2015, në Kosovë ndalohet, po ashtu, pjesëmarrja në luftëra të huaja – për të cilën vepër parashihen dënime deri në 15 vjet burgim./REL