Irani ka ekzekutuar katër burra të dënuar se po planifikonin sabotim dhe për lidhje të dyshuara me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, raportoi media shtetërore më 29 janar.
Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, tha se katër personat ishin dënuar për planifikim të shënjestrimit të një fabrike më 2022, fabrikë që i përket Ministrisë së Mbrojtjes të Iranit në qytetin Isfahan dhe ku gjenden raketa dhe pajisje të mbrojtjes.
Operacioni dyshohet se ishte projektuar nga Mossadi dhe katër personat e ekzekutuar ishin trajnuar nga agjencia izraelite në një shtet afrikan para se të hynin në Iran, raportoi IRNA.
Katër të ekzekutuarit u identifikuan si shtetasit iranianë: Mohammad Faramarzi, Mohsen Mazloum, Vafa Azarbar dhe Pejman Fatehi. Ekzekutimi i tyre u krye pasi Gjykata Supreme iraniane konfirmoi dënimin e tyre, që ishte shqiptuar nga një gjykatë tjetër shtatorin e vitit të kaluar.
IRNA nuk tregoi se si u ekzekutuan katër të dënuarit, por në Iran zakonisht ekzekutimet kryhen përmes varjes.
Më 2022, Irani tha se agjentë të inteligjencës kishin shkatërruar një grup të lidhur me Mossadin, që supozohej se kishte planifikuar operacione terroriste brenda Iranit, duke arrestuar anëtarët e grupit dhe duke konfiskuar një numër të madh të armëve dhe mjeteve shpërthyese.
Kohë pas kohe, Irani raporton për arrestime, për gjykime dhe ekzekutime të shtetasve të tij nën akuza për spiunazh në emër të Mossad-it dhe të shërbimeve të tjera perëndimore të inteligjencës.
Muajin e kaluar, Irani ekzekutoi tre persona – tre burra dhe një grua – dhe dënoi disa të tjerë me dënime me burg nën akuzat se kishin lidhje me Mossadin, raportuan mediat lokale. Ndërkaq, gjatë dhjetorit të vitit 2023, një tjetër burrë u ekzekutua nën akuzat se i kishte dhënë Mossadit informacione të klasifikuara.
Irani dhe Izraeli për një kohë të gjatë akuzojnë njëri-tjetrin për spiunim dhe kanë zhvilluar një luftë në hije. Izraeli e sheh Iranin si kërcënimin e tij më të madh dhe vazhdimisht ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ushtarake për t’ia pamundësuar Iranit krijimin e armëve bërthamore. Irani ka mohuar se synon të ketë armë të tilla dhe është zotuar se do të përgjigjet ashpër ndaj çfarëdo agresioni.