Policia e Gjirokastrës ka arrestuar sërish Klement Kursën, 39-vjeçar nga Dibra, i cili jetonte në Gjirokastër, nën dyshimin se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 12-vjeçare, e cila është vajza e bashkëjetueses së tij.

Zbulimi i kësaj ngjarjeje u bë nga Policia e Gjirokastrës përmes metodave hetimore, ndërsa deri më tani nuk ka pasur denoncim direkt nga e mitura apo nga nëna e saj.

Në Drejtorinë Vendore të Policisë po kryhen të gjitha veprimet procedurale për këtë rast të rëndë.

Klement Kursa ishte arrestuar pesë ditë më parë gjatë një aksioni blic nga Policia e Dibrës dhe ajo e Gjirokastrës, pasi ai dhe vëllai i tij binjak dyshohet se janë autorë të një vrasjeje të ndodhur në Dibër në vitin 2018.

Gjatë aksionit të 18 janarit në Gjirokastër dhe Dibër, gjatë kontrollit të banesës së binjakëve u gjetën dhe sekuestruan, 3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pushkë), 1 armë e ftohtë (thikë), 3 krehëra dhe municion luftarak, 1 maskë, 3 aparate celularë.

Gjykata e Gjirokastrës e kishte liruar Klement Kursën në seancën e mëparshme të vlerësimit të masës së arrestit. Megjithatë, ai është arrestuar sërish, nën dyshimin për abuzim me vajzën e mitur të bashkëjetueses së tij.

Sipas policisë, Kursa dhe vëllai i tij binjak janë larguar nga Dibra për shkak të një hasmërie gjaku, duke u strehuar në Gjirokastër, ku vazhduan aktivitetet kriminale.