Një nga autorët e dyshuar të hedhjes në erë të gazsjellësit Nord Stream 1 dhe 2 është shpallur në kërkim nga autoritetet europiane.
Bëhet fjalë për ukrainasin që jeton në Poloni, sikundër raportojnë mediat gjermane, por që ende nuk është arritur të kapet nga autoritetet.
I dyshuari thuhet se është instruktori i zhytjes Volodymyr Z. Ai thuhet se ka qenë pjesë e skuadrës së zhytjes që hodhi në erë pjesë të tubacioneve të gazsjellësit më 26 shtator 2022. Polonia konfirmoi marrjen e urdhrit të arrestit të mërkurën.
Hetuesit supozojnë se ukrainasi tani është larguar nga Polonia.
Një zëdhënëse e Prokurorisë Publike Federale fillimisht nuk i komentoi raportet të mërkurën: “Kërkoj mirëkuptimin tuaj që ne përgjithësisht nuk komentojmë raportet e mediave dhe nuk komentojmë urdhër-arrestet”.
I dyshuari në një bisedë të mëparshme me media i ka mohuar akuzat. Ai shprehu habinë dhe mohoi që ai dhe zhytës të tjerë të kishin vendosur mjete shpërthyese në tubacione.
Në shtator 2022, tubacionet ruse Nord Stream I dhe II shpërthyen në Detin Baltik.
Në shtator 2022 – gjashtë muaj pas pushtimit rus të Ukrainës – katër rrjedhje të mëdha gazi u zbuluan në dy tubacionet Nord Stream në ishullin danez të Bornholm dhe në bregdetin jugor suedez.