Një 17-vjeçar është arrestuar në Perugia të Italia me akuzën e terrorizmit. Mediat italiane raportojnë se i mituri u arrestua gjatë natës si pjesë e operacionit të koduar “Urrejtje”, dhe po hetohet për propagandë terroriste dhe nxitje për krime bazuar në diskriminim racor, etnik dhe fetar.
Sipas Prokurorisë, i mituri zotëronte dhe shpërndante, nëpërmjet kanaleve Telegram, manuale që përmbanin udhëzime të hollësishme për prodhimin e armëve të zjarrit, duke përfshirë printimin 3D, dhe për përgatitjen e eksplozivëve si TATP (peroksid acetoni). Ky, i njohur si “nëna e Satanit”, është i njëjti eksploziv i përdorur në sulmet e Brukselit dhe Parisit.
Materiali i sekuestruar përfshin gjithashtu dokumente mbi substancat e rrezikshme kimike dhe biologjike, si dhe manuale të hollësishme për sabotimin e shërbimeve publike thelbësore.
Hetuesit përcaktuan se i riu ishte në kontakt me krerët e grupit Telegram të quajtur “Ëerëolf Division”, një komunitet online neonazist dhe supremacist i bardhë që lavdëronte sulmues të tillë si Brenton Tarrant (autori i masakrës së Christchurch) dhe Anders Behring Breivik (përgjegjës për sulmet në Oslo dhe Utoya), duke i portretizuar ata si “shenjtorë” që duhen imituar.
I mituri dyshohet se kishte planifikuar një masakër në shkollë, të modeluar sipas tragjedisë së vitit 1999 në shkollën e mesme Columbine, e ndjekur nga vetëvrasja e tij.
Shtëpitë e shtatë bashkëmoshatarëve u bastisën gjithashtu, së bashku me kompjuterët e shtatë të miturve në provincat e Teramos, Peskarës, Bolonjës dhe Arezzos. Të rinjtë, të hetuar për propagandë diskriminuese racore dhe nxitje për krim, duket se janë pjesë e një ekosistemi virtual transnacional me motive neonaziste, përshpejtuese dhe supremaciste.





