Zbardhet emri i autorit tjetër të dyshuar për vrasjen e 4 personave në zonën e Nishtullës, vëllezërve Haxhia dhe shtetasve Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza.

Mësohet se 22-vjeçari që dyshohet si ekzekutori kryesor në të dyja ngjarjet është Klevis Alla, për të cilin u dha sot masa arrest me burg nga Gjykata e Durrësit. Ndërsa autori tjetër i dyshuar është Altin Ndoci, i cili mori të njëjtën masë sigurie. Policia deklaroi dje se janë edhe dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në të dyja rastet e vrasjeve, por që janë shpallur në kërkim.

Drejt makinës u derdhën 55 plumba, 38 kapën trupat e vëllezërve Haxhia

Në dosjen hetimore që mban firmën e prokurorit Gëzim Veizi, thuhet se në trupat e pajetë të dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia janë derdhur mbi 55 plumba. 

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, mbi asfalt në afërsi pranë mjetit është gjetur një sasi prej 55 gëzhoja arme model 56.” thuhet në dosje, ku theksohet ndër të tjera se mjeti tip Golf VI me targa AA716ZZ, me të cilën udhëtonin, ka marrë dëmtime të shumta.

“Në këqyrjen e kufomave, ka rezultuar se në trupin e tyre konstatohen dëmtime të shkaktuara nga arma e zjarrit në pjesë në trupit dhe kokës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, bazuar në provat e mbledhura në vendin e ngjarjes.

Përpos bashkëpunimit të 22-vjeçarit Alla, që tregoi më pas gjithçka, prokuroria tregon si arriti te identifikonte autorët. Detaji që ka fundosur autorët ka qenë xhami i makinës tip ‘Toyota” që përdorën autorët për vrasjen.

Si u gjet “Toyota” e krimit

Sipas policisë, pasi i kanë ndjekur dhe i kanë parakaluar duke i ekzekutuar me breshëri dy vëllezërit Haxhia, nga kontrolli i vendit të ngjarjes u gjet një pjesë xhami e thyer e makinës tip ‘Toyota” me xhama të zinj të autorëve, që u fiksua më pas edhe nga kamerat e sigurisë së një subjekti duke çuar në gjetjen e automjetit. 

“Në vendin e ngjarjes ka rezultuar se disa metra para mjetit të viktimave mbi asfalt janë gjetur xhama me ngjyrë të errët të thyera dhe nga këqyrja e njërës pjesë të xhamit janë shkronjat ‘TOYO…”. Pra që ngrenë dyshimin se këto pjesë xhami me ngjyrë janë lënë nga mjeti i autorëve që mund të jetë i mjetit “Toyota”.

Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se rreth orës 16:35 në kamerat filmike në rrugë largohen në drejtim të mbikalimit te Nishtulla në Shkozet një automjet me ngjyrë të zezë që dyshohet në përdorim nga autorët” thuhet në dosje.

Mister mbetet fakti si është thyer xhami i makinës së dy autorëve të vrasjes në vendin e ngjarjes.