Nga Roland Lami
Deklaratat e përsëritura të përfaqësuesve të LSI kanë nxitur hamendësimet mbi domethënien e tyre dhe të sjelljes politike të kësaj force në ditët në vazhdim. Në komentet e një pjese të analistëve pranë së majtës predominon qasja kontekstuale, ndërsa tek një pjesë e analistëve pranë së djathtës vihet re qasja racionale.
Për sa i përket qasjes së parë, mund të themi se ajo shtrihet në disa nivele. Niveli i parë i analizës së këtyre deklaratave prek aspektin psikologjik. Siç dihet, elektorati i LSI duke qenë një elektorat kryesisht pragmatist, motivohet më shumë nëse kjo forcë politike ofron garanci mbi nivelin e pjesëmarrjes në qeverisjen e nesërme. Sa më shumë të besohet kjo tezë, aq më shumë priret kjo tipologji votuesish të votëbesojnë këtë forcë politike. Aq më tepër kur premtohet që kreu i ekzekutivit të qeverisjes së nesërme, kushdo qoftë ajo, e majta apo e djathta, mund të drejtohet nga kreu i kësaj force politike, është një arsye më shumë për të motivuar këtë lloj elektorati.
Niveli i dytë i analizës prek aspektin identitar. Kalimi i kësaj force nga koalicioni qeveritar në atë opozitar ka zbehur mjaft identitetin politik të kësaj force. Megjithatë, për një pjesë të publikut, bashkimi mekanik i këtyre forcave rriste shumë probabilitetin dhe motivacionin e votuesve të majtë për të shpresuar në fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Mirëpo, për specialistët e fushatave zgjedhore pranë së majtës, me siguri ky veprim nuk është konsideruar si një taktikë elektorale e mjaftueshme për të maksimizuar votat dhe në këto kushte është gjykuar përforcimi identitar i LSI në raport me PS dhe koalicionin e majtë në tërësi me synim rritjen e mundësisë për më shumë vota. Me këtë logjikë, LSI ka filluar daljen në fushatë vetëm, njëkohësisht u është rikthyer qëndrimeve të diferencuara në disa çështje në raport me programin e Rilindjes së PS. Më konkretisht, votimi i tri ligjeve, sistemi fiskal, politikat e punësimit etj., si dhe synimet në administrimet e qeverisjes së nesërme. Me këtë taktikë, kjo forcë politike është pozicionuar si pol i rëndësishëm që synon të konkurrojë me PS në këto zgjedhje për sa i përket peshës dhe pretendimeve në administrimin e pushtetit të së nesërm. Pavarësisht paqartësisë që shkakton në kohezionin apo frymën e së majtës, nga pikëpamja e akumulimit të votës së majtë konsiderohet lëvizje e duhur.
Niveli i tretë i analizës lidhet me aspektin e imazhit. Referuar tipologjisë së fushatës, mund të dallojmë qartë që ajo, nën influencën e konsulencës së huaj, i ngjan gjithnjë e më shumë një gare presidenciale ndërmjet dy liderëve të koalicioneve kryesore, duke zbehur shumë rëndësinë e liderëve të partive të tjera, apo të deputetëve në listën shumemërore. Në këto kushte, LSI-së i lind nevoja të rrisë pretendimet që të marrë vëmendjen e duhur të mediave. Për këtë qëllim i nevojitet ta transformojë imazhin e fushatës nga dypolare, Rama – Berisha, në trepolare Rama – Berisha – Meta dhe sigurisht, këtë gjë nuk e bën për shkak se ka peshë elektorale të ngjashme me ta, por nisur nga nevojat që ata kanë për numrat e LSI në ndërtimin e qeverisjes së nesërme. E thënë ndryshe, në rastin e LSI, peshë e vogël elektorale por e domosdoshme për të garantuar qeverisjen e nesërme, përkundrejt peshës së madhe elektorale të PD dhe PS, por me numra të pamjaftueshëm për të qeverisur nesër. Pikërisht për të dhënë këtë ide fut kartën e kryeministrit të nesërm, pavarësisht se kush do të ketë shumicën fituese.
Tani le të ndalemi tek analiza strukturaliste që të djathtët i bëjnë deklaratave të përfaqësuesve të LSI. Niveli i parë lidhet me thelbin e sistemit zgjedhor. Siç dihet tashmë, ky sistem prodhon mazhorancë të brishtë, që shpesh varet nga numrat e partive të vogla. Këto të fundit duke qenë se e dinë rëndësinë e peshës së tyre, e maksimizojnë aksesin në qeverisjen e së nesërmes kundrejt numrit të deputetëve që ofrojnë. Pikërisht këtë gjë e kemi parë fare qartë në 2009, ku shumë parti të vogla e konvertuan pjesëmarrje e tyre në parlament me disa fish përfitim politik në qeverisje. LSI ishte rasti tipik i këtij fenomeni. Jo vetëm kaq, por në zgjedhjet e kaluara pamë edhe një fenomen tjetër, atë të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve. Më konkretisht, LSI ishte forca politike që i premtoi elektoratit të majtë se do të kontribuonte në nxjerrjen nga politika të kryeministrit aktual Berisha, mirëpo pas zgjedhjeve bëri të kundërtën e kësaj. Falë numrave në parlament përqendroi një pushtet të konsiderueshëm ekzekutiv, duke shfaqur haptas prirje klienteliste, nepotike, monopoliste, abuzuese dhe në jo pak raste edhe antiligjore me qëllim zgjerimin e bazës elektorale të saj pa u shqetësuar nga pjesa tjetër e ekzekutivit. Falë kësaj strategjie, sot kjo forcë politike mund ta përdorë kapitalin e saj politik pavarësisht se si e ka siguruar atë, qoftë majtas në rast fitoreje, qoftë djathtas. Por kësaj radhe me një ndryshim. Me kontributin e Ramës, LSI ka arritur të përfshijë në listat e PS në vende të sigurta disa përfaqësues të saj (publik është rasti i z. Braho, por flitet edhe për të tjerë). Njëkohësisht, të dhënat nga terreni lënë të kuptosh që një numër i caktuar deputetësh do të sigurohen nga lista shumemërore e LSI-së falë peshës elektorale që gëzon kjo forcë politike. Në këto kushte, numri deputetëve të saj nesër në parlament ka shumë probabilitet të jetë më i madh se katër. Shto edhe faktin, që tek e majta probabiliteti që partitë e ashtuquajtura të vogla të sigurojnë një deputet, përjashtuar PBDNJ, është shumë i vogël, pesha e LSI në parlament tek kampi i majtë bëhet përcaktuese. Në rrethana të tilla, pozita e LSI tek e majta bëhet e domosdoshme, për të mos thënë përcaktuese në garantimin ose jo të mazhorancës së nevojshme për të qeverisur nesër.
Në rrethana të tilla, LSI do të respektojë marrëveshjen me z. Rama, duke shpërfillur kontekstin e ri postzgjedhor apo do të diktojë kërkesat e saj? A është i përgatitur z. Rama dhe PS për këtë skenar? E njëjta dilemë mund të ngrihet edhe për të djathtën. Pavarësisht se kreu i koalicionit të djathtë, z. Berisha, u shpreh se e djathta e ka kryeministrin e saj në rast fitoreje, logjika e numrave tek kampi i djathtë nuk të premton për një siguri të tillë. Mjafton t’i mbetemi skenarit më të mirë që e djathta pretendon se do të arrijë, pra përsëritja e rezultatit të 2009-ës, për të kuptuar sa e brishtë është mazhoranca e nesërme dhe sa e nevojshme është prezenca e LSI. Dhe për këtë kamp vlen të ngrihet e njëjta pyetje: Po e djathta është përgatitur për një skenar me një rol më të madh se në 2009 të LSI në qeverisjen e nesërme? Hamendësimet na shpien tek një ankand potencial që mund të zhvillohet pas zgjedhjeve, si pasojë e konfigurimit të mazhorancës së ardhshme. Çmimi i vendosur paraprakisht nga LSI është kryeministër me Metën në shkëmbim të garantimit të qeverisjes, ose pension politik të njërit nga liderët politikë (Rama ose Berisha). Nuk duket çmim i palogjikshëm.
Niveli i dytë i analizës lidhet me aspektin e riciklimit të pushtetit. Ky sistem të krijon mundësi të penalizosh me votë partitë që kanë peshën më të madhe politike, në rastin tonë PD-ja në qeverisje, por jo parti si LSI me më shumë se tre deputetë. Pavarësisht se një pjesë e problemeve që i adresohet mënyrës së qeverisjes janë shkaktuar edhe nga roli i përfaqësuesve të LSI, përsëri ky sistem nuk ta krijon mundësinë që të penalizosh qeverinë dhe parti si LSI. Arsyeja është e thjeshtë, kjo forcë politike, kapitalin e saj të akumuluar deri diku për shkak të abuzimit me pushtetin, e zhvendos nga qeverisja e sotme tek opozita, duke rritur shanset që ky bashkim të shndërrohet në mazhorancë të së nesërmes falë peshës së LSI. Pavarësisht se problemet që ka shkaktuar tek qeverisja e sotme do t’i transferojë te qeverisja e nesërme, për shkak të nevojës për të karikuar mbështetësit e saj. Ose, në skenarin tjetër, kalon në koalicionin e majtë duke i krijuar një farë kostoje kësaj force politike në shkëmbim të favoreve në lista për të rritur numrin e deputetëve në kurriz të PS dhe në rast humbjeje, ose mospërmbushjes së pretendimeve të saj nga përfaqësuesit e PS mbi mënyrën e ndarjes së pushtetit të së nesërmes, ikën nga ky koalicion dhe i bashkëngjitet përsëri koalicionit të djathtë. Edhe këtu PS penalizohet, ndërsa LSI mbetet përsëri në qeverisje. Ky është sistemi që i jep mundësi elektoratit të penalizojë vetëm dy partitë kryesore dhe të mos penalizojë parti të qendrës si LSI, të cilat zmadhohen në kurriz të shumicave në qeverisje dhe në opozitë.
http://www.mapo.al/2013/05/22/dyzimi-i-qellimshem-i-lsi/





