Nga Fatmir Minguli
Tek po mundohesha të hidhja në letër disa përsiatje mbi librin e ri të Pol Milos “ Takohemi në purgator”, shihja se diçka nuk shkonte në rrjedhën e mendimeve që më shkaktonin ato proza të shkurtra të këtij autori enigmatik.
Ndërsa kërkoja shkakun e mos ecjes rrjedhëse të mendimeve, nata më ndihmoi duke më thënë se hëna e tanishme ishte shumë më afër tokës, shumë më afër se herë të tjera.
Dhe u bashkova papritmas me dr. Mimoza Ahmetin që duke komentuar thelbin e librit të ri të Pol Milos shkruan:
“Nëse nuk mund të ndryshojmë, së paku le të dimë çfarë jemi, thotë kjo prozë e tij, me aksent poetik. Bota e tij është një lëvizje në hiper- realizëm dhe fantazi. Ju fton për një udhëtim atje!” Kaq thotë kjo poete dhe ka të drejtë. Hëna e zmadhuar dhe hiper- realizmi janë si dy kuaj që e çojnë lexuesin drejt një purgatori i cili nuk është gjë tjetër veçse një dyzim i ferrit dhe i parajsës.
Të dyzosh nuk do të thotë të jesh i paqartë. Përkundrazi qartësia merr pasqyrime dhe reflektime të një realiteti që e kemi para syve. I mirë dhe i keq është i njejti politikan, i mirë për fansat e vet dhe ë keq për opozitarët.
Por, më falni, Pol Milo nuk përmend aspak ndonjë politikan në librin e tij. Ai në tregimet prevalente të këtij libri si “ Metafizika e biçakut”, “Takohemi në purgator – më prit ose të pres”. “Proçedurat e Akilit”, “Dedektivi dhe kundravajësi”, vjen si narrator ku uni i tij shkon paralel me vetë subjektin, me vetë narracionin. Kritiku bashkëkohës Valter Binaghi në librin e tij “Origjinat psikologjike të narracionit” lidhur me dyzimin “uni i autorit dhe zëri narrativ” thotë se “se zëri narrativ nuk identifikohet kurrsesi me “unin” e autorit”, duke qenë tejet i sigurtë se ky konstatim është për autorët me vlera novative në narracion. Prandaj po e theksoj se Pol Milo është ai shkrimtar që narracionin e tij e ndërton me stil të veçantë, atë të dyzimit jo vetëm të personazheve por edhe të nën kuptimeve. Ai i qëndron idesë së Martin Heideggerit se “ shkrimtari duhet të jetë vetja e tij”. Pol Milo, në dallim nga proza që ai botoi në librin e tij të parë “Shtegtimi i dinozaurёve fluturues”, tek libri i dytë vjen me një pamje tjetër të së njëjtës fytyrë. Ndryshon vetëm drejtimi i dritës së prozhektorit krijues në spetaklin e prozave të shkurtra. Në shumë tregime të këtij libri të ri ndeshemi jo me fluturime hipotetike apo reale të metaforave me dinozaurë, por ndeshemi me jetë të jetuara. Lexuesi takon personazhe të çuditshëm, si rojtarin e varrezave që është as më pak e as më shumë, veçse një psikolog i kohëve tona.
Ai thotë: “Zgjidhja e vetme e problemeve është mospranimi i kompromiseve tokësore.”
Apo dy plakat parashikuese të ngjarjeve, plaka bullgare Vanga dhe një dyzim i saj, plaka rumune, janë tokësore por edhe pse parashikojnë të dyja, ato kanë kundërshti, janë kundërshti brenda llojit, por nën mantelin magjik të dyzimit.
Pol Milo të befason me thjeshtësinë e kalimit nga çështjet më thjeshta deri tek ato më filozofiket, duke na e sjellë Akilin famëmadh në një shesh ku ndeshet me demat. Pol Milo thotë se atij i dhanë leje perënditë për t’u ringjallur e të jetonte ato “Jetë moderne të ditëve tona”, por ai shihte “Turbullira dhe trazira luftrash për territore, zaptime, modifikime strukturash dhe ndërtime të çuditshme, mungesa të rregullsisë, të rendit dhe disiplinës, ashtu sikurse edhe drejtësia e mohuar prej shekujve, ishin shkaqet të cilat bënin që të vazhdonte më tej në rrugët e panjohura.”
A mos vallë po kalonte në Durrës, apo, më falni, në Shqipëri!
Edhe në këtë tregim dyzimi ngre krye sepse kemi dy Akilë brenda një Akili, atë të kohës së tij dhe atë të botës moderne me rrugë të panjohura.
Veç Aklit të njohur, Pol Milo na prezanton me një personazh origjinal në letërsi, me biçakun. Ai na fut në metafizikën e biçakut, sado e pabesueshme të duket si subjekt. Me një ironi të thellë, gati shfarosëse, autori na sjell skena shqiptare “me biçak”, ku vetë funksionet e biçakut janë të dyzuara ashtu siç është dhe njeriu mbajtës i biçakut, qytetar apo fshatar, pak rëndësi ka.Vetë ironia e tij është një metafizikë e përsosur. Se mos vetëm me biçakun! Në ekranet televizive po thuajse çdo natë shfaqen seriale aksion- aventurë amerikane “Macgyver” ku biçaku është një nga mjetet më efikase të heroit të serialit duke injoruar mjetet më të sofistikuara të teknologjive moderne. Paralelet Pol Milo i bën të vërteta.
Personazhe të tjerë të një bote organike dhe jo organike lëvizin në trajektore të psikologjisë hënore, një psikologji që ka ngjyrat e veta, ku miza idé, otapodi me shtatë këmbë, qimja dhe veshi i shejtanit, kumria, rrota e madhe, pata, miu kavie, Fondi Monetar, Purgatori etj, rrezatojnë më shumë se sa personazhet njerëz.
Këto përsiatje lidhen patjetër me stilin e ri narrativ të autorit, stilin e teorisë së dyzimit, duke bërë hapin e dytë mbas hapit me lojën narrative dhe faktin e fshehur. Eshtë patjetër një hap galopant, një hap ku këmba letrare rëndon dhe lë thellësi në tipografinë e letrës së shkruar. Ky dyzim e merr energjinë nga “Hëna e mistereve”, tregimi që hap këtë libër. Ajo duket sikur i thotë unit të autorit dhe jo narratorit: “Të gjithë ndihemi në një farë mënyre të pakompletuar, të gjithë realizojmë një pjesë të vetes sonë dhe jo tjetër.”
Hapat misteriozë në stilin narrativ të Pol Milos janë për t’u patur zili. Libri “Takohem në Purgator” me nëntitullin “Më prit ose të pres” është preludi i hapave të tjerë në zbulimin e të fshehtave të narracionit bashkëkohor edhe atëherë kur hëna mund të largohet pak nga pozicioni i tanishëm.