Ish-kampioni i Moto GP, Niki Hejden, është i shtruar në spital në Itali në gjendje kritike për jetën, pas një aksidenti që ka pësuar. Sipas mediave italiane, Hejden, i cili aktualisht garon në Superbike dhe gjendej në Itali për një garë në Imola, po bënte një xhiro me biçikletë bashkë me një grup tjetër personash, kur është përplasur nga një veturë e cila e ka hedhur në kanal.

Mediat italiane raportojnë se gjendja e tij është shumë e rëndë dhe se autoritetet e spitalit të Çezenës, ku ai është aktualisht i shtruar kanë konfirmuar se ka një hematomë në kokë që nuk lejon që ai t’i  nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale. Hejden, i cili mban nofkën “Kentucky Kid”, u shpall kampion në Moto GP në vitin 2006. Prej dy vitesh ai është larguar për të marrë pjesë në garat me “Superbike”.