Tiranë, 7 korrik 2014 – Akuzave për tradhëti bashkëshortore, një 60-vjeçar iu është përgjigjur me armë zjarri duke shkaktuar tragjedi në familjen e tij. Ferit Kolgjini ekzekutoi gruan dhe vëllanë dhe më pas vrau dhe veten.

Në bazë të hetimeve të kryera rezulton se bashkëshortja e Kolgjinit dyshonte se ai e tradhëtonte me një banore të fshatit. Ajo ka njoftuar vëllezërit e Kolgjinit që t’u tregonte veprimet e Feritit.

Sulltane Kolgjini dyshohet se e ka akuzuar bashkëshortin e saj për tradhëti në sy të kunatit gjë e cila është mohuar nga Feriti. Mes tyre ka nisur një debat i ashpër  dhe në debat e sipër, Ferit Kolgjini ka marrë një armë duke vrarë bashkëshorten dhe vëllanë e tij.

Në kushte të rënda psikologjike ai ka qëlluar edhe veten pak sekonda më pas, disa metra larg trupave të familjarëve të tij. Të shtënat u dëgjuan nga fqinjët të cilët njoftuan menjëherë policinë.

Çifti Kolgjini, me origjinë nga Kukësi ishin prindër të katër fëmijëve, por në momentin e krimit asnjëri prej tyre nuk ndodhej në banesë. Në vendngjarje u sekuestrua një pushkë, një çifte si dhe tre gëzhoja.

Krimi i trefishtë ndodhi paraditen e djeshme në fshatin Grecë të komunës Pezë në Tiranë kur Ferit Kolgjini ekzekutoi me armë zjarri bashkëshorten Sulltane Kolgjini, 59 vjeçe dhe vëllanë e tij Ramadan Kolgjini, 67 vjeç.

Pas krimit të dyfishtë, 60-vjeçari është larguar disa metra nga oborri i banesës ku qëlloi edhe veten.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/