·        Udhëzimi Basha zbulon ‘hatërlinjtë’, ja pse “dajaku ka dalë nga xheneti”

 

DURRËS, 23 prill 2014   Përkundrejt zërave kundër brenda PD-së, deputetja e Durrësit Albanë Vokshi është e “dashuruar” me udhëzimin Basha.

Përgjithësisht, në 20 vjet deputetët durrsakë vendës, të djathtë dhe të majtë, nuk janë shquar për protagonizëm, pasi nuk u pëlqen të quhen “gore”.

Por nuk ndodh kjo aktualisht me disa të PD-së, të katapultuar nga jashtë, plus ndonjë durrsaku denbabaden, me origjinë të majtë i shndërruar në të djathtë.

Kjo vërehet sidomos me konsumimin që i bëjnë vetes deri dhe në përkrahjen pro udhëzimit Basha për zgjedhjet në forumet e partisë.

Udhëzimi i nxjerrë nga kryetari i PDSH Lulzim Basha është i “bazuar në statut” dhe “në tërësi i detajuar, me procese dhe kritere vlerësuese që janë gjykuar të përshtatshme për këtë fazë të procesit të ristrukturimit të Partisë Demokratike”, ka deklaruar deputetja e Durrësit dhe kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas Albanë Vokshi në një intervistë për Nevilë Perndojn e së përditshmes “Mapo” në numrin e 23 prillit 2013.

Ndonëse në strukturat e partisë në qytetin bregdetar që e ka përfaqësuese në Kuvend, kanë shpërthyer polemika të ashpra, për shkak të përjashtimit të ndjekësve të të ndjerit Sokol Olldashi, Vokshi thotë: “personalisht, s’kam asnjë mëdyshje në këtë proces, për aq kohë sa respektohen kriteret, demokracia e brendshme dhe transparenca si dhe respektohet kuota gjinore”.

Në përgjithësi deputetët e PD-së së Durrësit Vokshi, Halimi, Strazimiri janë afishuar fort si pro-Basha, ndaj ata po vetëpërdoren me kënaqësi në komunikimet publike, duke mos shprehur kundërshtim me udhëzimin e shefit të opozitës.

Parë në këtë kontekst, Vokshi bën apologjinë: “do të ishte gati e pamundur që një deputet të ndiqte full-time procesin e anëtarësimeve, analizës apo zgjedhjeve në parti. Nëse e kundërta do të ndihmonte koordinatorët, dhe nëse kjo ishte zgjedhja e duhur, kjo ngelet për t’u parë. Por, sigurisht në PD nuk është vënë asnjë postbllok për deputetët”.

E ndërgjegjshme se deklarimet e saj pro-Basha mund të priten me “këmbët e para” në anëtarësi, krye-femra e PD-së bën folklor politik: “në çdo ngjarje, dhe jo më në politikë, por edhe në një dasmë, ka gjithnjë qejfmbetje”.

Vokshi më poshtë përdor kulaçin: “parë në zhvillimet politike brenda PD-së, ky proces nuk do të besoja kurrsesi që mund të krijonte fraksione”, por nxjerr njëkohësisht kërbaçin në vazhdim: “kur mendoj, cilët mund të jenë të pakënaqurit”.

Edhe pse Vokshi mendon se nuk mund të krijohen fraksione, ajo kërcënon me metoda konspirative: “Vendosja e kritereve vlerësuese, që në pamje të parë, mund të duken “përjashtuese” apo “diskriminuese”, qartëson, pikërisht se kush mund të jenë ‘hatërlinjtë’”, duke nënkuptuar se për zbulimin e “komplotistëve” mund të përdoret ndonjë “SHIK” partiak.

Deputetja e Durrësit, pranon me cinizëm se “vendosja e kuotave, kritereve përjashtuese, etj. gjithnjë has në kundërshti dhe kritika”.

Por shpjegon se “dajaku ka dalë nga xheneti”, duke pohuar se kriteret përjashtuese “shpesh herë s’janë të këndshme, por pothuajse gjithnjë janë efektive”.

Në intervistën e porositur nga Basha në gazetën afër tij, Vokshi bën një kompromis, që shpjegon më së miri gjendjen në PD-në, ku po vlon kazani i pakënaqësive: “duhet të bëhet analizë e shëndoshë për fenomenet dhe jo goditje, apo intriga që mund të çojnë në përçarje, duke penguar bashkimin e domosdoshëm për partinë tonë. Analiza duhet të evidentojë më së shumti vlerat dhe kontributet. Mirënjohja për kontributet është procesi më i vërtetë që garanton se drejtuesit e rinj zgjidhen nga anëtarësia reale e PD-së dhe jo nga “qokaxhinjtë”. Për të shuar edhe kureshtjen e njerëzve që më kanë pyetur këto ditë, pikërisht ky ka qenë edhe thelbi i asaj që unë kam thënë në mbledhje të Kryesisë. Në mendimin tim, përtej garës së numrave, anëtarësia duhet të jetë reale dhe jo fiktive dhe analiza nuk duhet orientuar drejt “luftës servile”, por drejt triumfit të vlerave dhe kontributeve”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/