Si një rrufe në qiell të hapur për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet skuadra. Edhe pse dicka e tillë pritej të ndodhte në fund të sezonit, në mënyrë surprizë drejtuesit e Interit kanë shkarkuar nga detyra, 3 javë përpara fundit të Serisë A trajnerin Stefano Pioli. 51-vjecari nga Parma paguan kështu rezultatet e turpshme të 7 javëve të fundit me skuadrën zikaltër që ka grumbulluar vetëm 2 pikë duke regjistruar 5 humbje dhe 2 barazime. Përfundon pas rreth 6 muajsh aventura e Stefano Piolit në drejtimin e Interit. Në 3 javë e mbetura të këtij kampionati klubi milanez do të drejtohet nga trajneri i skuadrës Primavera, Stefano Vecchi i cili ka qenë në stolin e Interit edhe në sfidat ndaj Southampton-it në Europa League dhe Crotones në Serinë A, pas shkarkimit të Frank De Boer dhe përpara se drejtimin e skuadrës ta merrte pikërisht Pioli. Në pritje të njërit mes Antonio Contes dhe Diego Simeones, skuadra i është besuar Vecchit ndërsa do të ketë lëvizje edhe në instancat drejtuese. Sic raportojnë mediat italiane, Walter Sabbatini ish drejtori sportiv i Romës shumë shpejtë do të kalojë te Interi për tu emëruar si përgjegjës i anës teknike si dhe njeriu që do të kontaktojë gjatë gjithë kohës me pronarët kinezë të klubit zikaltër.
Tashmë është në dyshim edhe e ardhmja e Piero Ausilios i cili vetëm disa javë më parë rinovoi zyrtarisht kontratën e tij me Interin sepse me ardhjen e Sabattinit, Ausilio nuk do të ketë më të njëjtin pozicion në klub. Përsa i përket shkarkimit të Piolit me një komunikatë në faqen zyrtare në orët e vona të mbrëmjes së të Martës, Interi lajmëroi largimin nga skuadra të ish trajnerit të Lazios duke e falenderuar atë për punën që ka bërë me skuadrën gjatë këtyre muajve. Tifozëve të Interit tanimë nuk u mbetet gjë tjetër vecse të kryqëzojnë gishtat që njëri mes dy emrave të mëdhenj të pankinës Conte ose Simeone të pranojnë ofertën e pronarëve kinezë për tu bërë pjesë e projektit zikaltër në mënyrë që edhe ky Inter të cilit financat tashmë nuk i mungojnë të dalë nga kjo errësirë e zymtë në të cilën është zhytyr që pas largimit të Leonardos në verën e vitit 2011.