Lionel Mesi ishte një ndër lojtarët më të prekur nga humbja kundër Kilit në Copa America, pasi sërish nuk arriti të fitonte trofeun e munguar me kombëtaren dhe gjuajti mbi traversë penalltinë e tij, duke qenë vendimtar për eliminimin. Kapiteni i Argjentinës u përlot sapo përfundoi gjuajtja e penalltive dhe më vonë për mediat dha lajmin e bujshëm, duke u tërhequr nga kombëtarja.

“Është e vështirë, nuk është koha për analiza. Në dhomat e zhveshjes mendova se ky ishte fundi për mua me kombëtaren, ajo nuk është për mua. Kështu ndihem në këtë moment, jam shumë i trishtuar dhe sërish humba një penallti vendimtare.

“U mundova shumë të bëhesha kampion me Argjentinën, po nuk ndodhi, nuk ia dola dot mbanë. Mendoj se është më mirë për të gjithë, për mua dhe për shumë njerëz që dëshirojnë që unë të tërhiqem. Zgjedhja ime është përfundimtare, është vendim final, pas shumë dështimesh”.

Është finalja e katërt që Mesi humbet me kombëtaren, pas Copa America 2007 e 2015 dhe Kupës së Botës 2014.