TIRANË, 11 korrik 2013 – Popullsia shqiptare po përjeton barrën e dyfishtë të kequshqyerjes. Shkurtësia për moshën dhe anemia është ende e pranishme në disa komunitete në vend, ky deklarim nuk i takon PS-së, por ministrit ende në detyrë të Shëndetësisë, Halim Kosova, para një forumi ndërkombëtar.
Përkundrejt propagandës zyrtare të PD-së dhe kryeministrit Sali Berisha për jetën e lumtur të shqiptarëve dhe sukseset ekonomike, kreu i Shëndetësisë Halim Kosova, i ndërgjegjshëm dhe për votën kundër të 1 milion bashkatdhetarëve, tregohet realist në punimet e Konferencës Ministrore Evropiane mbi ushqyerjen dhe sëmundjet jo të transmetueshme në kontekstin e Strategjisë Evropiane të Organizatës Botërore e Shëndetësisë “Shëndeti 2020”, ku ai mori pjesë si përfaqësues i Shqipërisë, njoftoi më 5 korrik 2013 dikasteri.
Gjatë zhvillimit të punimeve të kësaj konference, ministrat e shëndetësisë të Rajonit të Evropës nënshkruan Deklaratën e Vjenës, përmes së cilës vendet anëtare angazhohen të adresojnë shkaqet themelore të mbipeshës dhe sëmundjeve jo të transmetueshme, që lidhen me dietën, si dhe të fuqizojnë rolin e qytetarëve për të bërë zgjedhje të shëndetshme.
Ministri i Shëndetesisë në detyrë Halim Kosova tha ndër të tjera:
“Nëse, për një periudhë 10-vjeçare, do të zbatohen në Shqipëri programe të integruara mbi ushqimin dhe ushqyerjen, që prekin të gjitha etapat e jetës së një individi, duke adresuar pabarazitë, duke shpenzuar rreth 79 milionë USD, përfitimi ekonomik do të jetë 300 milionë USD, duke rezultuar në një raport kosto-përfitim 1:4.
Popullsia shqiptare po përjeton barrën e dyfishtë të kequshqyerjes. Shkurtësia për moshën dhe anemia është ende e pranishme në disa komunitete në vend, ndërkohë që analiza e të dhënave bazuar në metodologjinë e nismës për mbikëqyrjen e obezitetit gjatë fëmijërisë, vuri në dukje se 21.6 për qind e fëmijëve të moshës 7-10 vjeç janë mbipeshë dhe 7.7 për qind janë obezë.
Sëmundjet jo të transmetueshme përbëjnë rreth 89 për qind të të gjitha vdekjeve në Shqipëri (59 për qind nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 18 për qind nga kanceri). Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, prevalenca e përgjithshme e diabetit, te diagnostikuar dhe të padiagnostikuar, është vlerësuar në rreth 5 për qind. Prevalenca e diabetit të diagnostikuar te të rriturit vlerësohet në 1.5 për qind.
Në harkun kohor të 3 viteve të fundit janë realizuar një sërë ndërhyrjesh në disa zona të vendit që shënjonin tregues të dobët të shëndetit, duke u fokusuar në ndërtimin dhe pilotimin e modeleve dhe instrumenteve, si dhe forcimin e kapaciteteve”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





