· Shkaqet: mungesa e florizimit të ujit të pijshëm; praktikat e gabuara në ushqyerje dhe praktikat e gabuara dhe të varfra në ruajtjen e higjienës së gojës; mungesa e programeve promocionale për shëndetin e gojës nëpër shkolla.
DURRËS, 1 maj 2014 – Kariesi i dhëmbëve është një problem madhor i shëndetit të gojës dhe se niveli tij te fëmijët 7-10 vjeç të qarkut të Durrësit ishte 92.1 për qind, raporton në revistën MEDICUS stomatologia në Qendrën e Shëndetit Durrës, pedagoge në Universitetin Planetar të Tiranës Fiordë Mezini.
U ndërmor një studim që filloi në shtator të vitit 2011 dhe përfundoi në prill të vitit 2012, ku u mblodhën të dhëna për 585 fëmijë të moshës 7-10 vjeç të cilët përbëheshin nga 293 fëmijë meshkuj dhe 292 fëmijë femra.
U përfshinë vetëm ata fëmijë të cilët dhanë pëlqimin e tyre dhe për të cilët u mor dhe miratimi i mësuesve dhe prindërve të tyre.
Ekzaminimet brenda-gojore u bënë në shkolla 9-vjeçare me anë të sondës, pasqyrës dhe dritës.
Mesatarja e moshës së fëmijëve të marrë në studim ishte 8.5 vjeç.
Në fund të studimit rezultoi se prevalenca e kariesit ishte e lartë: 92.1 për qind.
Një nga shkaqet u vlerësua mungesa e florizimit të ujit të pijshëm.
Arsye të tjera mund të jenë praktikat e gabuara në ushqyerje dhe praktikat e gabuara dhe të varfra në ruajtjen e higjienës së gojës.
Studimet e prevalencës së kariesit të komunitetit janë të dobishme për planifikuesit e kujdesit të shëndetit për të identifikuar burimet e nevojshme për shërbimet dentare në komunitet dhe për të ofruar shërbime parandaluese dhe kurative për shëndetin e dhëmbëve.
Për më tepër, studimet kanë dëshmuar se kariesi i dhëmbëve ndikon në frekuentimin e shkollës dhe shkakton shtimin e ditëve me aktivitet të kufizuar.
Shumë autorë theksin e vënë në planifikimin e programeve promocionale për shëndetin e gojës nëpër shkolla, thotë Mezini.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





