Një lajm sensacional nga Italia rreth trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Cristian Panucci. Sipas mediave përtej “Adriatikut”, më konkretisht sipas “Il Mesaggero”, trajneri i kuqezinjve është në listën e drejtuesve të Romës për të marrë vendin e Eusebio Di Francescos.
Madje shkohet edhe më tej, teksa raportohet se 45-vjeçari ka marrë një telefonate nga drejtuesi verdhekuq Franco Baldini, për të kuptuar nëse kjo lëvizje është e mundshme.
Marrëdhënia mes Panuccit dhe krahut të djathtë të presidentit James Palotta ka qenë gjithmonë e mirë, sikurse ajo me kapitenin De Rossi. Cristian Panucci ka kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në nëntor të vitit 2019, kur përfundojnë edhe eliminatoret e Europianit, por kjo s’do të thotë që trajneri italian nuk mund të largohet para kohe nga Shqipëria, pasi një ofertë nga Roma mund të të vijë vetëm një herë në jetë.
Panucci momentalisht është me pushime, por do të jetë i pranishëm në stadium në takimin kundër Parmës në “Tardini” për të ndjekur Romë. “Roma mbetet Roma”, do të thotë gjithçka ose asgjë.





