E enjtja ishte një ditë pushim për Teutën pas impenjimit në Kupën e Shqipërisë kundër Kamzës, ku shpenzuan shumë energji në suksesin 4- 0 duke siguruar kualifikimin për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Përgatitjet për sfidën me Kukësin do të fillojnë pasditen e sotme, me stafin teknik që do të ketë në dispozicion një grup pothuajse të plotë.

Mungesa e vetme për këtë takim është ajo e qendërmbrojtësit Ante Hrkaç, i cili pritet të rikthehet në fund të dhjetorit. 25-vjeçari po vazhdon me fazën e rikuperimit me doktorin e klubit durrsak që shprehet se lojtari po e rimerr gradualisht veten.

Teuta kërkon të përforcohet në çdo repart pas problemeve që ka shfaqur deri më tani në Kategorinë Superiore. Reparti më problematik është mbrojtja dhe drejtuesit kanë afruar në skuadër Ardian Krasniqin. Gjakovari, që luan si mbrojtës i djathtë, ka qenë pjesë e ekipit U-19 të Paris SG, me të cilët ka zhvilluar 4 ndeshje në UEFA Youth League, ndërsa ka shënuar edhe 1 gol.

Gjithashtu ai ka veshur edhe fanellën e Kombëtares shqiptare U-19, duke grumbulluar 5 ndeshje dhe 1 gol. Krasniqi, pavarësisht se ka  qenë pjesë e akademisë së gjigantëve të Francës, tek Teuta është në provë.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se 20-vjeçari gjatë kësaj periudhe do të stërvitet me skuadrën dhe, më pas, verdiktin final do ta japë trajneri Gugash Magani, nëse do ta kalojë apo jo provën, për të nënshkruar më pas kontratën me drejtuesit. Problemi i vetëm i Krasniqit, por shumë i rëndësishëm për stafin është fakti se ai ka një vit pa luajtur, për shkak të një dëmtimi.