Një 15-vjeçar në Britani ka kryer vetëvrasje pasi u bë viktimë e bullizmit nga shokët e tij në shkollë. Jack Allott u gjet i vdekur nga prindërit e tij në fermën familjare në Barnsley, në janar, pas disa javësh torturash psikologjike nga një grup nxënësish në gjimnaz.

Sipas Daily Mail, hetimi zyrtar mbi ngjarjen përfundoi se adoleshenti i dha fund jetës së tij pasi nuk mundi të përballonte ngacmimet e vazhdueshme.
Para se të merrte vendimin tragjik, 15-vjeçari i kishte thënë nënës së tij, Sarah Richardson, se po “e bezdisnin” disa prej “miqve të tij të supozuar” në shkollë.
Në gjykatën e Sheffield-it, ajo dëshmoi se Jack ishte bërë shënjestër “sepse ishte shumë i mirë”.

Nëna e tij tha gjithashtu se kishte gjetur një letër lamtumire që djali kishte lënë pas, nga e cila kuptoi menjëherë çfarë kishte ndodhur.
Familja e tij zotëron një fermë, dhe pikërisht aty Jack i dha fund jetës. Ai u dërgua në spital, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.

“Ishte një djalë kaq i lumtur, i mirë, i dashur dhe bujar. Ishte shumë i mirë – dhe pikërisht për këtë arsye u bë shënjestër,” tha Sarah për autoritetet, sipas YorkshireLive.
“Ishte i bukur, i ndjeshëm, i dashur dhe adhuronte kafshët e tij. Ishte numri im një,” shtoi ajo me dhimbje.

Varrimi i Jack-ut u mbajt më 28 shkurt, ku u nderua nga një paradë prej gati 100 traktorësh, që “paralizoi Barnsley-n” në shenjë respekti për të.
Grupi “Tractor Lads Around Penistone” po mbledh fonde për “Bee Kind for Honey”, një organizatë bamirësie që punon për parandalimin e vetëvrasjeve tek të rinjtë në Barnsley. Ata do të zhvillojnë një paradë festive me traktorë në nëntor për këtë qëllim.

“Nëse arrijmë të parandalojmë qoftë edhe një familje që të mos përjetojë atë që përjetoi familja e Jack-ut, do ta kemi arritur qëllimin tonë,” tha Andy Lucas, anëtar i grupit Tractor Lads Around Penistone.