Deputeti Alfred Peza iu drejtua prokurorisë së Tiranës, pasi një person e shqetësonte në telefon me thirrje e mesazhe. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, atij i kishin mbërritur dhjetëra telefonata e SMS nga një numër që mbaronte me 004.
Personi i kërkonte llogari përse nuk shkonte në Peqin dhe përse ishte zhdukur pa lënë gjurmë nga qyteti që e zgjodhi deputet. Ai i kishte shkruar gjithashtu se do të ftonte deputetin e Elbasanit, Ben Blushin, që të shkruante një libër për atë se çfarë kishte bërë Peza gjatë mandatit të tij për Peqinin.
Mesazhet e kanë bezdisur deputetin dhe ai i është drejtuar prokurorisë në fund të marsit. Prokuroria ka zbuluar dërguesin e mesazhit, Roland Uruçi, 45 vjeç, fermer nga fshati Përparim i Peqinit.
Uruçi ka pranuar se i ka dërguar SMS deputetit dhe ka dhënë edhe arsyet. Më 18 prill ai është dërguar si i pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike” dhe më 4 korrik i deklarua fajtor nga gjykata që e dënoi me 120 mijë lekë gjobë. Por ai do të paguajë vetëm 80 mijë lekë, si pasojë e pranimit të gjykimit të shkurtuar.
“Panorama” ka zbardhur disa prej SMS-ve që fermeri i kishte dërguar deputetit Peza.
“Kemi ftuar Ben Blushin të bëjë një libër për të bërat e tua në Peqin”
“Qëkur arrite në Peqin dhe u zhduke pa lënë gjurmë”
“Po mir Prenga është përjashtuar nga PS, po ty pse të përjashtuan nga Peqini?”
“Të vuri Dash Sula drunë, perse nuk vjen në Peqin?”.
“Dashin po e shohim çdo javë, po ti ku humbe, të ka dalë emri te të humburit”.





