Anija “NS Nevela” me flamur panamez, e ngarkuar me 2500 tonë skrap, të mbërritura në Shqipëri për llogari të kompanisë Kurum, nuk ka përdorur si përherë portin e Durrësit për të shkarkuar sasinë e skrapit, por i është drejtuar portit të Shëngjinit.

Për vite me radhë, kompania Kurum ka përdorur portin e Durrësit për të kryer eksport-importet për llogari të saj, por kohët e fundit, kompania në fjalë po përdor portin e Shëngjinit, i cili ofron kushte më të favorshme, tarifa më lehtësuese për ngarkim-shkarkimin dhe shërbim më të shpejtë në kohë.

Kompania Kurum është një nga eksportueset dhe importueset në të mëdha në portin e Durrësit dhe largimi i saj nga porti më i madh në vend, dëshmon për problematikat që po konstatohen me menaxhimin e portit.

Ajo ka shkarkuar për shumë vite në terminalin Lindor që menaxhohet nga kompania koncesionare, por me sa duket edhe manaxhimi privat ka dështuar të ofrojë kushte të favorshme për kompaninë turke.

“Kurum” po sheh më me interes portin e Shëngjinit, duke marrë në konsideratë edhe faktin se po rrit koston e transportit nga porti për në Elbasan, pasi nga Shëngjini i duhet të përshkojë një distancë më të gjatë prej rreth 33 km (distanca Durrës – Elbasan 84 km; ndërsa Shëngjin – Elbasan 117 km).