TIRANE, 19 mars 2013- Ardian Prrenjasi të varet në litar. Nuk duam t’ia shohim më fytyrën, ka vrarë fëmijë. Na la vajzën në mes të katër rrugëve. Më vjen turp të më shohë njeri. Ndihem keq nga komshinjtë. Kujt ia merrte mendja se ai ishte njeri i tillë…”. Beglije B., gjyshja e Valbona P., vajzës 24-vjeçare, e cila bashkëjetonte prej një viti e gjysmë me “monstrën” Ardian Prrenjasi, ndihet e shokuar nga krimi makabër që është zbuluar, ku protagonist është 45-vjeçari që ishte futur si dhëndër në shtëpinë e tyre. E moshuara jeton e vetme në apartamentin gjashtëkatësh, ngjitur me godinën e ish-Shkollës së Partisë në Laprakë. Mbrëmë kishte rënë në flinte që në orën 20.00, pasi ndodhej krejt e vetme, në shtëpinë që vështirë se mund të quhej e tillë, pasi kishte vetëm një dhomë. “Jam e mërzitur nga gjithë kjo që ndodhi. S’e besoja kurrë që Ardiani mund të bënte një gjë të tillë. Ai sillej mirë me Valbonën. Mezi siguronin bukën e gojës, por nuk na e merrte mendja që të bënte gjëra të tilla. As bojën nuk duam t’ia shohim më. Na turpëroi. Të varet siç tha dhe nëna e tij”, – thotë gruaja. Tejet e tronditur, 72-vjeçarja rrëfen për njohjen e mbesës së saj me Ardianin, bashkëjetesën e tyre, si dhe plot detaje nga jeta e “errët” e njeriut “monstër”….
Znj.Beglije, kur e keni takuar mbesën, Valbonën për herë të fundit?
E takova sot (dje) në drekë. Erdhi rreth orës 13:00. Sapo ishte lënë e lirë nga policia. Një polic i kishte dhënë 300 lekë të paguante biletën e autobusit, pasi as lekë nuk kishte me vete. Jetojnë në kushte të këqija.
Çfarë biseduat me të?
Valbona nuk pushonte së qari dhe thoshte ‘si kam fjetur në një krevat me një monstër’. Ajo kurrë nuk ka ditur se burri i saj vriste fëmijë. Madje shpesh shoqja e saj i ka lënë Ardianit disa herë t’i mbante të birin dhjetë vjeç.
Po tani, ku ndodhet Valbona?
Erdhi dhe e mori babai. Kanë ikur për në Peshkopi.
Ju fliste ajo për jetën që bënte me Ardianin?
Po. Më thoshte që “kalojmë mirë”. Nuk ankohej kurrë. Jetonin në një dhomë me qira, dhomë e vogël, por e trajtonte mirë, nuk e rrihte, përpiqeshin të hanin bukë. Ja tani çfarë na doli, na hodhi baltë. Mbesa ime nuk ka bërë asgjë, s’e dinte çfarë bënte ai. Ku njihen njerëzit sot!
Si është njohur Valbona me Ardianin?
Valbona ka qenë e martuar më parë me një burrë në Gostivar në Maqedoni. Është ndarë, se kishte sherre me kunatat. Duke qenë në fshat, e kishte të vështirë të gjente burrë, pasi flisnin për të, se e kishte ndarë burri i parë. Një komshi i Ardianit ndërhyri dhe u njohën. Nuk bëmë as fejesë, as asgjë.
Po familjen e tij, e njihnit?
Jo, nuk i njihnim, pasi ne nuk bëmë hyrje-dalje sipas zakonit. Dinim vetëm sa na kishte treguar vetë ai.
E dinte mbesa se Ardiani ka qenë më parë i martuar dhe arsyet përse ishte ndarë?
Ai na ka thënë, edhe neve, edhe Valbonës, se është ndarë nga gruaja e parë se ajo e tradhtonte. Na ka treguar se me të ka pasur dy fëmijë.
Ardiani, vinte ndonjëherë t’ju vizitonte?
Po. Vinte një herë apo dy herë në muaj. Vinte të pinte kafe në 6 të mëngjesit kur mbaronte punën, dhe merrte dhe Valbonën me vete kur ajo qëndronte tek unë. Valbona vinte shpesh të më shërbente, se unë jetoj e vetme.
Si ishte sjellja e tij?
Sillej shumë mirë. Asnjëherë nuk kishim për ta besuar se bënte gjëra të tilla. Na vjen zor se si kemi futur në shtëpi një njeri të tillë. Ai ishte shumë i urtë, i qetë. Punonte natën vonë. Kujt ia merrte mendja se vriste fëmijë?!
Gjatë bisedave që keni bërë me mbesën, a ju ka lënë të nënkuptonit se në shtëpinë e saj ndodhte ndonjë gjë e pazakontë?
Jo. Asnjëherë s’më ka vënë në dijeni të ndonjë halli. Ajo nuk dinte asgjë. Në shtëpinë e saj çdo gjë ishte normale, ajo nuk ka vënë re asnjë gjë të çuditshme tek sjelljet e Ardianit.
Kush i vizitonte në banesë mbesën dhe Ardianin?
Personi që i vizitonte ishte një e njohura e Ardianit; vinte shpesh me djalin e saj të vogël 10-vjeçar tek shtëpia e tyre. Ka pasur edhe raste kur ajo e ka lënë Ardianin vetëm me djalin e saj, por nuk dimë t’i ketë bërë gjë.
Po Valbona, çfarë jete ka bërë?
Valbona është fëmija i parë i vajzës sime. Jetojnë në hall të keq. Valbona nuk ka qenë asnjë ditë në shkollë dhe nuk di shkrim e këndim. Jeta e saj ka qenë e vështirë. U martua kur ishte 20 vjeçe dhe u nda shpejt. Tani ka mbetur në mes të katër rrugëve. Kush martohet me të tani që ndodhi dhe kjo gjëmë?!
/Marrë nga Gazeta Shqiptare/