Itali, 2 qershor 2014 – Monica Sanchi, e dashura e vrarsësit shqiptar Dritan Demiraj, rrezikon vite të tëra burg. Sipas grupit hetues, kamarierja 35 vjeçare ka pasur rol aktiv në të dy vrasjet e realizuara nga Demiraj, pavarësisht se ajo pretendon të kundërtën.
Sipas hetuesve, në të gjitha seancat e pyetjeve, Monica, me përgjigjet e saj, ka dashur t’i çojë hetuesit në përfundime të gabuara. Sipas të njëjtave burime, Monica ka qenë së bashku me Dritanin një ditë para se të vrisnin 30 vjeçarin Silvio Mannina, në vendin ku më pas u varros kufoma e tij.
Së bashku me Dritanin, ajo e ka çuar më pas trupin e 30 vjeçarit në shpellën ku u gjet i varrosur. Në të njëjtën kohë, nëse Monica nuk do ta kishte futur në kurth Lidia Nusdorfin, kjo e fundit mund të ishte gjallë.
Ajo që vënë re hetuesit është fakti se ndërsa 29 vjeçari Demiraj i ka pranuar të dy krimet dhe ka rrëfyer sesi kanë ndodhur, e dashura e tij vazhdon t’i qëndrojë versionit për rolin e saj pasiv në krimin e dyfishtë.
Opinioni publik italian u trondit dy muaj më parë, kur Lidia Nusdorfi, nënë e dy fëmijëve, njërin prej të cilëve e kishte me Dritanin, u gjet e vrarë në një stacion treni.
Për vrasjen e saj u akuzua pastiçieri shqiptar Dritan Demiraj. Ky i fundit pranoi se kishte vrarë edhe të dashurin aktual të Lidias dhe trupin e tij e kishte varrosur në një shpellë.
Për këto dy vrasje janë arrestuar Dritan Demiraj dhe e dashura e tij italiane Monica Sanchi, ndërkohë që po procedohet në gjendje të lirë daja i Dritanit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





