Një krim i rëndë pasioni ka tronditur Stambollin mbrëmjen e së dieles më 27 gusht, kur dy viktima janë gjetur në hotelin me 5 yje në zemër të Stambollit, Conrad.

Agjencia turke e lajmeve “IHA” raporton se mes viktimave është Vatan Sasmaz, aktor i dhjetëra roleve dhe aktualisht prezantues në radiotelevizionin shtetëror “TRT”, i qëlluar me armë zjarri disa herë pas shpine.

Afër tij po ashtu është gjetur e pajetë, e qëlluar me një plumb në kokë, ish-modelja Filiz Aker, e cila dyshohet të jetë vetëvrarë pas vrasjes së aktorit.

Aktori dhe prezantuesi 43-vjeçar ishte i martuar me Nurşen Kocayaş në vitet 2011 – 2014, ndërsa që prej vitit 2015 është i martuar me Yasemin Adali.

Ndërkohë, ish-modelja Filiz Aker raportohet se ka qenë e dashura e aktorit dhe prezantuesit të njohur. Ata dyshohet se janë grindur me njëri-tjetrin, dhe në momentin që aktori ka tentuar të largohej nga dhoma e hotelit është qëlluar 4 herë nga pas shpine.

Mediet turke kanë publikuar edhe disa foto të dy viktimave së bashku, foto të cilat janë marrë nga profili në “Instagram” i ish-modeles.