DURRËS, 2 qershor 2015 – Një lushnjare ka bërë zbulimin tronditës se mbi banjat romake të Durrësit nuk është pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”, por një pallat me leje nga ish-kryetari i bashkisë së Durrësit në vitet 2000-2003, doktor Miri Hoti. Madje, brenda këtij zbulimi është dhe një zbulim albanologjik: romak dhe ilir janë sinonime.

Në rubrikën “Foto e ditës” portali “newsbomb.al”, që ka për pronare një pijedashëse të shquar lushnjare me banim në Tiranë, është botuar më 2 qershor 2015, një foto e marrë nga ueb-i i Ministrisë së Kulturës dhe i kanë vënë titullin bombastik “Mbi termat romake është ndërtuar një pallat në Durrës”. Nuk i dihet nëse ka qenë e dehur, kur botuesja ka shënuar poshtë fotos këto “zbulime”: 

“Durrësi do të duhet të krenohej me Termat Romake të shekullit të parë të erës sonë, por fotot që serviren nga Ministria e Kulturës janë tragjike. Mbi këtë monument kulture e mbi ato rrënoja, është hedhur beton pa fund dhe është prishur një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë. Kjo foto tregon situatën e dëmtimit të termave ilire, nga themelet e pallatit të kohëve moderne. Një leje e dhënë nga ish-kryetari i Bashkisë Miri Hoti duket se ka prishur gjithçka por pa penalizime. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, janë kthyer në vendin e krimit për të rregulluar atë që ka bërë paraardhësi në bashki”.(http://www.newsbomb.al/index.php/component/k2/item/12442-mbi-termat-romake-eshte-ndertuar-nje-pallat-ne-durres).

Portali “newsbomb.al” nuk e di se kolonat që duken në foto janë të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe jo të një pallati banimi. Pasi iu turr kot së koti ish-bamirëses së vet, ministre e Mbrojtjes Mimi Kodheli, tani botuesja sulmon ministren e Kulturës Mirela Kumabro. Sipas portalit, kur ka inspektuar monumentin e termave / banjave antike që janë bërë të vizitueshme, Kumbaro është kthyer në “vendin e krimit”. Së dyti, në këtë rast, nuk ka pse përgojohet ish-kryetari i bashkisë, kirurgu “Mjeshtër i Madh i Punës” Miri Hoti.

Info

50 vjet më parë, në shkurt 1965, në qytetin e Durrësit u përurua godina e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Projekti i ndërtesës së teatrit ishte përgatitur nga Valentina Pistoli, e cila i ndiqte nga afër punimet që po realizoheshin nga kantieri nr. 1 i Ndërmarrjes së Ndërtimit (NSHN). Por në një qytet me 3 mijë vjet histori, ndërtimi i një godine madhore nuk ishte punë e lehtë. Punimet u ndërprenë vetëm disa muaj pas hapjes së themeleve. Drejtori i muzeut arkeologjik Vangjel Toçi nisi sondazhet që zgjatën disa muaj dhe që i ndryshuan dukshëm planet e arkitektes Pistoli dhe të ndërtuesve. Në pjesën e pasme të godinës u zbuluan elementët e Termave (banja) të periudhës romake, shekulli 1-2 i erës sonë.  Arkeologu Vangjel Toçi arriti t’i bindë realizuesit e godinës që pjesa fundore e saj të ngrihej mbi kolona betoni. E gjithë pjesa poshtë ndërtesës do të kthehej në një stacion të rëndësishëm arkeologjik, Termat, ku dallohen lehtë tepidariumi, frigidariumi dhe caldariumi (banja me ujë të vakët, të ftohët dhe të nxehtë). I gjithë monumenti dukej se ishte shfrytëzuar 1900 vjet më parë si një vendtakimi, në të cilin bisedohej shumë më tepër se sa për thjesht shëndetin e banorëve të qytetit. Kureshtarët durrsakë mbajnë mend në vitin 1965 shkëlqimin e pllakave bardhë e zi të Termave, që përshkoheshin nga poshtë nga një sistem tubacionesh me avull të nxehtë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/