Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje në Durrës, ku policia ka arrestuar një 19-vjeçar që posedonte një thikë pistoletë dhe një sasi municioni luftarak.

Arrestimi në flagrancë i shtetasit F. C., 19 vjeç, banues në Sukth, Durrës, u bë në vijim të kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, të cilët përditë e më shumë po bashkëpunojnë me Policinë, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë.

Gjatë kontrollit në banesën e të riut, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një thikë pistoletë dhe një sasi fishekësh.

Materialet hetimore i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon qytetarët që besojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt.