ILD nis hetim disiplinor gjyqtaren Irena Gjoka. Irena Gjoka ka deklaruar në KLGJ se nuk ka pasur dijeni për dënimin në Greqi.
NJOFTIMI
REPUBLIKA E SHQIPERISE
ZYRA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË
Nr. 255/prot. 18
Tiranë, më 20 02.2026
Njoftim vendimi për fillimin e hetimit disiplinor me iniciativë dhe nismën e ankuesit
ZNJ. ADRIANA KALAJA Rruga “Bedri Dedja”, Nr. 179
Tiranë
E nderuar znj. Adriana Kalaja,
Ju informojmë, se Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) pas shqyrtimit fillestar të ankesës tuaj, të regjistruar me nr. 1399 prot., datë 06.05.2025, ka konkluduar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme që magjistratja Irena Gjoka ka kryer veprime/mosveprime, të cilat në referim të nenit 103, shkronja “dh” dhe nenit 104 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përbëjnë shkelje disiplinore. Për këtë arsye, është vendosur fillimi i hetimit disiplinor me iniciativë dhe me nismë të ankuesit ndaj magjistrates znj. Irena Gjoka, gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në nenin 123, 124 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Në mbështetje të nenit 119, pika 4, nenit 123, pika 3 dhe 124 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bashkëlidhur këtij vendimi do të gjeni një kopje të vendimit për fillimin e hetimit disiplinor.





