E dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë, me të rritura”, ndalohet 30-vjeçarja e shpallur në kërkim.
Si rezultat i kontrolleve të mbështetura tek informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe të kryera në vijim të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim Borana Faslliu, 30 vjeçe, banuese në Lushnjë.
Gjykata e Apelit e ka dënuar 30-vjeçaren, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë, me të rritura”. Kjo shtetase është implikuar në një rast të kësaj veprimtarie kriminale, ndaj një 26-vjeçareje, të kryer më datë 03.12.2020, nga bashkëshorti i shtetases Borana Faslliu, i cili është arrestuar një ditë më pas dhe aktualisht vuan dënim me burgim.